Duel i nxehtë

Xhiroja e pesëmbëdhjetë e Superligës së Kosovës në futboll zhvillohet nën hijen e derbit mes dy kandidatëve për titull të kampionit, Vëllaznimit dhe Dritës.
Ky takim do të zhvillohet të dielën në Gjakovë, stadium që me gjasë do të jetë i vogël për t’i zënë të gjithë të interesuarit për ta përcjellë këtë përballje, pasi pikët janë shumë të rëndësishme për të dy skuadrat në garën për titullin e kampionit.
Aktualisht Drita renditet e dyta në tabelë me një pikë më pak se lideri Prishtina që ka tubuar 30 pikë, por me një takim më shumë të zhvilluar. Kurse në ndjekje të tyre është Vëllaznimi që ka 26 pikë.
Duke e parë diferencën e vogël të pikëve, gjakovarët thonë se do ta japin maksimumin për ta fituar këtë betejë, në mënyrë që mos ta lejojnë shkëputjen e mëtutjeshme të gjilanasve.
“Alternativë e vetme për ne është fitorja, në mënyrë që t’i barazojmë pikët me Dritën. Fitorja në Skenderaj ndaj Drenicës na ka motivuar shumë. Po ashtu, motivi te ne do të rritet akoma më shumë, kur dihet se do të luajmë ndaj Dritës, njëra prej skuadrave më të forta aktualisht. Andaj, me ngulm do ta kërkojmë fitoren”, ka thënë futbollisti i kuqezinjve, Robert Gjeraj.
Por, Vëllaznimi nuk do ta ketë të lehtë, pasi fitore në këtë takim do të kërkojnë edhe bardhekaltrit, me qëllim që ta ruajnë primatin. Kështu thotë ish-futbollisti i gjakovarëve, tani i Dritës, Erdin Hashani.
“Në Gjakovë shkojmë për të fituar dhe për ta ruajtur kreun. Për mua ky takim është emocionues, pasi do të luaj ndaj ish-skuadrës ku pata kaluar shumë mirë. Për këtë, nëse shënoj rastësisht gol, nuk do të festoj. Përndryshe, për ekipin tim është shumë e rëndësishme fitorja dhe shpresoj t’ia dalim mbanë”, u shpreh Hashani.
Po të dielën do të zhvillohen edhe katër takime të tjera mjaftë interesante.
Superliga - xhiroja 15-të
E shtunë
Trepça – Prishtina
E diel
Gjilani – Trepça ’89
Besa – KEK-u
Lepenci – Liria
Hysi – Drenica
Vëllaznimi – Drita
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 13:00