S’ia di mbiemrin nënkryetarit të vet
Gafa bëjnë shpesh të gjithë, por të mos ia dish mbiemrin nënkryetarit të komunës tënde e për më tepër të punosh në zyrën për informim të asaj komune, kjo mund të ndodh vetëm në Gjilan. Zyra për media e kësaj komune, ka nisur një komunikatë për shtyp me të cilën njofton se në Gjilan ka qëndruar Vlora Çitaku, ministre për Integrime Evropiane.
Atje ajo është takuar me nënkryetarin e komunës që është përgjegjës edhe për komunitete. Por zyrtari i komunës së Gjilanit është aq i painformuar saqë komunikatën për media, e ka nisur pa mbiemrin e nënkryetarit të vet.
Për më tepër, shefi i zyrës për informim të Gjilanit, Shefik Surdulli e ka nisur komunikatën vetëm me emrin e nënkryetarit, që është Milorad, ndërkohë që duke mos ia ditur mbiemrin, në vend të tij thjesht ia ka shtuar disa pika (...).
E si për mos mjaftuar kjo, ai e-mailin e ka nisur jo nga adresa zyrtare e komunës, të cilën në fakte ka të shënuar në fund të komunikatës, por nga adresa e tij private nga Yahoo.
Përndryshe, kryetari Gjilani, Qemajl Mustafa priti Ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku. Ashtu siç tha një ditë më parë, ministrja Çitaku ka nisur turin e saj nëpër komunat vendit. Meqë në takim shumica e kryetarëve të ftuar nga ajo nuk i shkuan, ajo ka nisur vet t’i vizitojë ata lidhur me procesin e riintegrimit të atyre që riatdhesohen në mënyrë që Kosova të fitojë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.