Sulmohet patrulla e policisë në veri

Tre persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në patrullën e Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës. Ngjarja ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit tek ‘Tre rrokaqiejt’, zonë kjo e banuar me popullatë të përzier.
Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Nysret Mehmeti ka thënë se askush nga policët në këtë incident që ka ndodhë rreth orës 3.00 të mëngjesit nuk është lënduar.
“Dihet se tre persona deri tash të panjohur kanë shtënë në drejtin të dy policëve, të cilët kanë tentuar t’i pengojnë në vjedhjen e një automjeti. Pas shtënies me armë, të dyshuarit kanë ikur në pjesën jugore të qytetit”, tha Mehmeti.
Ai ka përjashtuar mundësinë e sulmit të motivuar etnikisht, duke thënë se në patrullën e cila ka qenë cak e tre sulmuesve kanë qenë një polic shqiptar dhe një tjetër serb.
Sipas tij, rasti është karakterizuar tentim vrasje dhe dëmtim i pronës së luajtshme, ndërkohë që hetimet janë në proces. (KosovaPress)