S’ka kampe stërvitore në Kosovë

Ai këto deklarata i bëri pas takimit që ka zhvilluar me drejtorin e Bordit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacolli.
Zëvendëskryeministri Kuçi i pyetur për deklaratat e presidentit sirian se në Kosovë ka kampe stërvitëse, ai ka mohuar një gjë të tillë, duke i quajtur thjesht deklarata të pabaza.
“Është një deklaratë e pabazë. Siç ka thënë edhe ministri i jashtëm, Kosova mbështet lëvizjet demokratike kudo në botë, por Kosova nuk është një oazë që mund të stërvitin njerëzit për çfarëdo qëllimi tjetër. Kosova i ka forcat e veta të rregullta, Forcën e Sigurisë dhe Policinë e Kosovës, Kosova e ka një prezencë ndërkombëtare, KFOR-in dhe EULEX-in, janë përgjegjës për siguri dhe kanë informacione edhe për zhvillime të tilla. Kosova krijon paqe dhe stabilitet, Kosova nuk prodhon kriza. Unë besoj që edhe rasti konkret dhuna është prodhuar në Siri dhe duhet të zgjidhet në Siri”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.
Ndërkohë, i pyetur se a mund të gjejë një zgjidhje për veriun ky koalicion qeverisës, zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se në qoftë veprojnë të gjithë përnjëherë si institucionet e vendit edhe faktori ndërkombëtar mund të kishte sukses.
“Mendoj se çështja e veriut është çështje që i takon gjithë qytetarëve të Kosovës. Primatin gjithmonë dhe përgjegjësinë do ta marrë Qeveria e Kosovës, por edhe institucionet e tjera dhe partitë politike dhe shoqëria civile. Po këtu ka akterë edhe tjerë, jo vetëm institucionet e vendit janë akterë, edhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë akterë edhe bashkësia ndërkombëtare që funksionon në Kosovë, KFOR-i dhe EULEX dhe janë akterë edhe Brukseli dhe Uashingtoni nëse veprojmë gjithë përnjëherë dhe në drejtim të duhur do të kemi sukses”, ka theksuar Kuçi.
Ndërsa, në lidhje me deklaratat e përfaqësuesit të BE-së, Samuel Zhbogar, i cili ka porositur institucionet e Kosovës që të kryejnë detyrat, zëvendëskryeministri Kuçi ka shprehur besimin që edhe BE-ja do të marrë masat që të trajtoj Kosovën si vendet e tjera në mënyrë të barabartë. /kosovapress/