Monchengladbach zyrtarizon Xhakën

Sipas këtij njoftimi, Xhaka do t’i mbrojë ngjyrat e Borussia Monchengladbach deri më 30 qershor të vitit 2017.
Gjermanët janë gëzuar që i kanë siguruar shërbimet e reprezentuesit zviceran, me të cilin ata besojnë se në edicionin e ardhshëm do të jenë edhe më të fortë në elitën e futbollit gjerman.
“Në përpjekjet tona të vazhdueshme për t’i siguruar shërbimet e Xhakës, kemi pas konkurrencë të fortë nga klube të mëdha evropiane, të cilat insistonin për t’i siguruar shërbimet e tij. Andaj jemi të lumtur që në fund ishim ne ata që i siguruam shërbimet e tij”, ka deklaruar drejtori sportiv i Borussia Monchengladbach, Max Eberl.
Xhaka kishte kontratë me Baselin deri në vitin 2015. Por, gjermanët e zviceranët janë pajtuar që mos të publikohet shuma e dëmshpërblimit që Borussia Monchengladbach e ka derdhur në arkën e Baselit.
Por, mediat gjermane dhe ato zvicerane raportojnë se ky transferim klubit gjerman i ka kushtuar rreth 8.5 milionë euro. Ndërkohë, nuk dihen ende pagesat që gjermanët do t’ia bëjnë prishtinasit për shërbimet e tij, por kjo pritet të mësohet në ditët në vijim.
Në edicionin e ardhshëm, Xhaka do ta bartë fanellën me numër 34 të Borussia Monchengladbach, e cila në edicionin e ardhshëm do të garojë edhe në Ligën e Kampionëve, pasi sivjet garat në Bundesligë i ka përmbyllur në pozitën e katërt të tabelës.