S’kanë haber

Të mërkurën, në Nyon të Zvicrës ka përfunduar mbledhja dyditore e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA).
Me rekomandimin e FIFA-s, ky organ i UEFA-s qe dashtë që në këtë mbledhje dyditore ta shqyrtojë edhe kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) rreth lejimit të organizimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare për përfaqësuesen e Kosovës dhe klubet e saj.
Mirëpo, ende nuk dihet nëse është shqyrtuar apo jo kjo kërkesë e shtëpisë së futbollit kosovar. Madje, Kosova nuk përmendet fare në një raport të kësaj mbledhjeje, i publikuar në ueb faqen zyrtare të UEFA-s, uefa.com.
Megjithëkëtë, udhëheqësit e futbollit kosovar besojnë se rreth kërkesës së tyre është diskutuar në këtë mbledhje të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Por, ata besojnë se rreth kërkesës së tyre, UEFA do t’ia përcjellë një rekomandim FIFA-s, e cila më pas mund t’i përgjigjet zyrtarisht FFK-së për të organizuar apo jo ndeshje të atilla ndërkombëtare.
“Ende nuk e kemi marrë asnjë informacion. Por, ka gjasa që FIFA të na përgjigjet, pasi ta marrë rekomandimin nga UEFA”, ka deklaruar për Express sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
FIFA dhe UEFA e kanë ndërlikuar mjaft rastin e Kosovës. Asnjëra nga to nuk e ka marrë guximin ta pranojë kërkesën e FFK-së që përfaqësuesja e Kosovës dhe klubet e saj të paktën të mund të zhvillojnë ndeshje miqësore ndërkombëtare, derisa vendi ynë të bëhet anëtar i këtyre ty organizatave. Madje, kjo çështje edhe është politizuar mjaft shumë.
Më herët FIFA e kishte refuzuar kërkesën e Fadil Vokrrit me shokë, ndërsa në fund të vitit që shkoi e kishte udhëzuar Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s që ta marrë një vendim. Kështu që tash topi është tek UEFA.