Nuk e lë Baselin

Edhe pse ka marrë oferta nga klube të ndryshme evropiane, Xherdan Shaqiri ka vendosur t’i mbetet besnik kampionit të Zvicrës, Baselit, të paktën deri në verë.
Vëllai dhe menaxheri i mesfushorit kosovar, Erdin Shaqiri e ka konfirmuar se vetëm ndonjë ofertë e jashtëzakonshme gjatë afatit kalimtar të janarit mund t’ia ndërrojë mendjen.
“Përfundimisht kemi vendosur me Xherdanin që deri verës do të qëndrojë në Basel. Vetëm nëse vjen këto ditë ndonjë ofertë që nuk refuzohet, është tjetër. Përndryshe Xherdani do të rrijë këtu”, ka thënë Shaqiri për Express.
Reprezentuesi zviceran ditë më parë refuzoi ofertën e Galatasarayt, që i ofroi 2.5 milionë euro pagë, derisa Baselit dëmshpërblim rreth 13 milionë euro. Por, Erdini ka zbuluar se përveç gjigantit turk, ka refuzuar edhe Zenit St. Petersburgun.
“Gjatë këtij afati kalimtar kemi refuzuar dy klube. Galatasarayn dhe Zenit St. Petersburgun. Baseli dhe vetë Xherdani nuk kanë pasur interes për këto dy klube”, ka theksuar ai.
Sipas Erdinit, ‘Xhuxhi magjik’ ka marrë këtë vendim pasi dëshiron ta ndihmojë Baselin në Ligën e Kampionëve si dhe në mbrojtjen e titullit të kampionit dhe Kupës së Zvicrës.
“Arsyeja pse Xherdani ka vendosur të mbetet në Basel është Liga e Kampionëve. Po ashtu ai dëshiron ta fitojë sërish titullin dhe Kupën e Zvicrës. Pas kësaj dëshiron ta bëjë hapin e radhës në karrierë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, mediet e ndryshme evropiane kanë shkruar se gjilanasit pëlqehet nga klube të njohura si Manchester United, Liverpool, Hamburg, Bayern Munich, Juventus, Inter, Milan, Roma, Dinamo Kiev e të tjera.
Mirëpo, Erdini tregon se asgjë konkrete nuk ka pasur nga klubet e lartcekura. “ Këto kanë qenë spekulime, mirëpo Baseli e di ma mirë sepse ndodh që merr oferta të parealizueshme dhe neve nuk na tregon fare”, ka përfunduar Shaqiri.
Xherdan Shaqiri ka debutuar me ekipin e parë të Baselit në vitin 2009. Që nga ajo kohë, mesfushori kosovar ka zhvilluar mbi 80 ndeshje dhe ka realizuar 13 gola, derisa me paraqitjet e shkëlqyeshme ka zënë vend edhe në përfaqësuesen A të Zvicrës.
Kubilay: Shaqiri gaboi
Ndërkohë, ish futbollisti i Galatasarayt dhe i disa klubeve italiane e zvicerane, Kubilay Turkyilmaz ka thënë se Xherdan Shaqiri ka gabuar që ka refuzuar ofertën e gjigantit turk. Sipas ish reprezentuesit të Zvicrës, 20 vjeçari do të përparonte në futbollin turk.
“Galatasaray do të ishte një vend i mirë për 20 vjeçarin Këtu do të mund të zhvillohej. Edhe për mua Gallata ishte vend i duhur për të bërë karrierë dhe për të ecur përpara. Në Turqi luhet futboll i mirë dhe me investitorët e rinj të futur në Galatasaray, klubi do të shkojë atje ku ishte dikur”, ka thënë ai.
Sipas Kubilayt, mesfushori kosovar nga Turqia më lehtë do të depërtonte te klubet e mëdha, derisa mendon se 20 vjeçari vështir se do të mund të zinte vend nëse transferohet në Bayern Munchen ose Manchester United.