E Diel, 1 Nëntor 2026

SBASHK-u: Arsimi parauniversitar i pakënaqur me pagat

Prishtinë, 18 gusht - Kryesia e SBASHK-ut në mbledhjen, të mërkurën, ka analizuar  kërkesat e arritura nga sindikatat komunale të arsimit lidhur me gjendjen  materiale në arsimin parauniversitar. Sipas komunikatës nga Kryesia e SBASHK-ut, reagimet nga terreni flasin se ekzistojnë shqetësime dhe pakënaqësi të mëdha te mësimdhënësit lidhur me gjendjen në arsimin parauniversitar. Pasi shpreh kënaqësinë për lëvizjet pozitive të pagave në sektorët e tjerë, kjo kryesi përkujton MASHT-in se arsimi parauniversitar ka mbetur me paga në nivelin e para dy vjetëve.

Duke u përballur me kërkesat e arsyeshme nga terreni për ngritje pagash, Kryesia  e SBASHK-ut ka vendosur të thërras për të hënën (më 23 gusht) mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, i cili do të debatojë shtruar këtë çështje dhe do të marrë vendim meritor, thuhet në komunikatë.

“Kryesia e SBASHK-ut uron që deri atëherë MASHT-i dhe Qeveria në takime me kreun e SBASHK-ut të arrijnë një marrëveshje konkrete dhe që institucionet tona shtetërore të realizojnë premtimet e tyre për ngritje pagash në shtator, në mënyrë që  të mos rrezikohet fillimi i mbarë i vitit të ri shkollor”, thuhet në komunikatën e Kryesisë së SBASHK-ut.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›