E Shtunë, 31 Tetor 2026

SBASHK-u dërgon 100 mësimdhënës për pushime në Durrës

Prishtinë, 30 gusht - Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) dërgon për pushime meritore në bregdetin shqiptar të Durrësit 100 mësimdhënës nga e tërë Kosova, bën të ditur një komunikatë nga kjo organizatë sindikale. Mjetet për pushimin e 100 mësimdhënësve në Durrës janë siguruar nga fondi i SBASHK-ut, ndërsa përzgjedhja është bërë nga organet komunale të sindikatave të arsimit në bazë të kritereve të përcaktuara. Komunikata thekson se kërkesat kanë qenë shumë më të mëdha, sepse gjendja e shumë mësimdhënësve është e vështirë, por mundësitë materiale të kësaj sindikate ishin kaq, raporton KosovaLive. SBASHK-u e di se jashtë kësaj liste të mësimdhënësve kanë mbetur edhe shumë të atillë që meritojnë këto pushime, por kaq ishin mundësitë dhe do të punohet që ky aktivitet human të kthehet në angazhim tradite. SBASHK-u do të angazhohet që edhe në vitet e ardhshme nga fondi modest dhe me ndihmën eventuale të ndonjë donatori të dërgojë në pushime në bregdetin shqiptar mësimdhënës të tjerë që vërtetë meritojnë një dhuratë të tillë bazuar në angazhimet dhe në gjendjen e tyre sociale, thuhet në informatën e Zyrës për informim të SBASHK-ut.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›