E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ali Sadria rikthehet në pozitën e drejtorit të QKUK-së

Prishtinë, 30 gusht - Dy muaj pasi është suspenduar me pagesë nga posti i drejtorit të QKUK-së, Ali Sadria pritet që shpejt të kthehet në punë. KTV-ja ka mësuar se Komisioni disiplinor i Ministrisë së Shëndetësisë nesër zyrtarisht do të marrë vendimin për kthimin e tij në postin e drejtorit. Burime të afërta me këtë komision i kanë thënë KTV-së se tre anëtarët e komisionit kanë votuar pro dhe kanë konsideruar se Sadria nuk ka bërë asnjë shkelje dhe se duhet kthyer në punë. Krejt çka ka pësuar drejtori i suspenduar është një vërejtje gojore nga ky komision. KTV-ja ka provuar të kontaktojë me sekretarin e përhershëm të ministrisë dhe me Ali Sadriajn, por që të dy gjatë ditës kanë pasur të shkyçur telefonin. Komisioni disiplinor i MSH-së ka qenë duke shqyrtuar dosjen e Sadriajt që nga suspendimi i tij nga puna, më 25 qershor. Vendimi i cili do të merret gjatë ditës së martë nga ky komision vetëm formalisht miratohet nga sekretari i përhershëm i ministrisë dhe nga ministri i Shëndetësisë. Një nga arsyet zyrtare për suspendim që kishte marrë Ali Sadria ishte largimi nga puna të drejtorit mjekësor, Hasan Ahmeti. Megjithatë, KTV-ja kishte raportuar atë kohë se shkak tjetër kishte qenë dalja në publik e Sadriajt në lidhje me çështjen e shumëpërfolur të shpronësimit të pronave të institucionit më të lartë shëndetësor, QKUK-së. Ali Sadria është emëruar si drejtor i QKUK-së në fund të tetorit të vitit 2009. Sa ka qenë i suspenduar, postin e tij e ka ushtruar Sejdullah Hoxha.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›