E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Stavileci vizitoi fermerë në Bllagajë dhe Qyshk

Pejë, 30 gusht - Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, sot vizitoi në fshatrat Bllagajë dhe Qyshk të komunës së Pejës. Gjatë qëndrimit në pronat e fermerëve Hivzia Medunjanin, Husnia Beshkoviq dhe anëtarëve tjerë të Shoqatës së Pemëtarëve “UVB” në Bllagajë, ministri Stavileci tha se nëpërmjet këtij vargu të vizitave në terren synojmë t’i motivojmë fermerët që të vazhdojnë edhe më tej t’u përkushtohen gjithë nënsektorëve të bujqësisë dhe t’i inkurajojmë që të aplikojnë në projektet që MBPZHR është duke i realizuar.
“Kosova ka një potencial të fuqishëm në bujqësi, veçanërisht në prodhimtarinë e pemëve dhe kjo mund të zgjerohet vetëm nëpërmjet pemishteve intensive, këto parcela me pemishte që po i shohim këtu, janë modeli më i mirë për këtë”, ka thënë ministri Stavileci.
Ndërkaq, Husnia Beshkoviq, kryetar i Shoqatës së Pemëtarëve “UVG” në Bllagajë tha se, kultivimin e pemishteve e kanë traditë ngaqë me këtë veprimtari janë marrë edhe më herët dhe përmes kësaj pune edhe jetojnë.
”Vizita e ministrit Stavileci është vizita e parë që po na bëhet nga institucionet qendrore të vendit dhe për neve është një përkrahje që na motivon në punën e mëtutjeshme”, tha Beshkoviq, duke shtuar më tej se i vlerësojnë lartë politikat e Ministrisë së Bujqësisë në intensifikimin e veprimeve për të ju bërë krah i punës fermerëve.
Ndërsa, gjatë vizitës në pronën e fermerit Selman Shala në fshatin Qyshk të komunës së Pejës (përfitues i grantit për ngritjen e serrave të reja), ministri Stavileci tha se, prodhimtaria e perimeve nëpër serra është një nga prodhimtaritë më në rritje dhe Ministria e Bujqësisë vetëm në këtë komunë, në të cilën vjet kanë qenë dy përfitues të granteve për ngritjen e serrave të reja, për të përkrahur financiarisht investimet në këtë sektor ka aprovuar mbi 20 projekte”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›