Iftari presidencial

Prishtinë, 30 gusht – Iftari i shtruar nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, për drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, të hënën mbrëma, ka tubuar në tavolinën e darkës së agjërimit krerët e komunitetit mysliman të vendit, zyrtarët më të lartë të shtetit, si dhe përfaqësuesit e shteteve perëndimore. Përveç presidentit Sejdiu dhe myftiut Naim Tërnava, në iftarin presidencial të shtruar në “Vila Gërmia” ishin edhe kryeministri Hashim Thaçi, ambasadorët Chritopher Dell (SHBA), Michelle Giffoni (Itali) dhe Hans Dietrich Steinbach (Gjermani), si dhe zyrtarë të tjerë vendorë, përfshirë ministrin e Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.