E Shtunë, 31 Tetor 2026

SEKRETI I SEPJES

1.

Gjetja e të së vërtetës në botën arabe, thotë rrëfimtari i romanit më të ri të shkrimtarit libanez Elias Khoury, "Yalo" (Picador, New York, 2009) ka një veçanti për të burgosurit politikë. Pas disa parti torturash, "një i burgosur do të gjendej para një shisheje boshe të kolës dhe do të detyrohej të ulej në të lakuriq. Po të kishte sukses në pengimin e anashkalimit të vdekjes nga sepja apo humbja e gjakut, do t‘i jepej një fletë e bardhë dhe do t‘i kërkohej që të shkruante rrëfimin e jetës së tij".

Kjo i ndodhi edhe personazhit të romanit, Yalo, një ish-luftëtar i luftërave qytetare të Libanit, i cili do të ballafaqohej me akuzë për dhunim e vjedhje, tashmë i demobilizuar dhe i punësuar si roje në një shtëpi të një të kamuri, ish-kontrabandist armësh të përdorura në luftërat ku mori pjesë Yalo, që nga mosha e tij 14-vjeçare.

Dhe, si për të gjithë të tjerët, ballafaqimi me letrën e bardhë do të ishte momenti kur "do të fillonte tortura e vërtetë, ngase akti i të shkruarit bëhej instrument i vdekjes dhe një rrugë drejt vetëvrasjes. Fjalët bëheshin si thika që do ta thernin bartësin e fjalëve. Kështu që, i burgosuri rrëzohej në gropën, të cilën e kishte hapur vet, duke rrëshqitur në fjalët e veta, duke rënë në gjakun e tij që kishte marrë formën e ngjyrës për stilograf...".

Një tjetër luftë, dhe një tjetër rrëfim për të përflitej në ditët kur lexoja romanin e Khouryt. Pas një sërë hulumtimesh të një gazetari amerikan, britanik dhe shqiptar, do të shkruhej një rrëfim-akuzë për njësitet e UÇK-së. Në të, njerëz që prezantoheshin si UÇK, në të përfunduar lufta rrëmbenin civilë serbë, shqiptarë e romë, që të gjithë të kolaboracionistë të supozuar dhe i dërgonin në një fabrikë në Kukës, ku i torturonin, e disa edhe ekzekutonin. Për më tepër, ky rrëfim do të ndërlidhej me një tjetër, atë të përdorimit të supozuar të pengjeve për shitjen e organeve të tyre për nevoja transplantimi.

Akuza mbështetej në rrëfime të dëshmitarëve, siç i prezantuan gazetarët, disa prej të cilëve kanë deponuar dëshmitë e tyre te organet hetuese të OKB-së.

Fjalët, si te Khoury, "bëheshin sikur thika", ndërsa rrëfimi ende ka potencialin që të rrëzojë, tashti jo të burgosurin, por imazhin e UÇK-së, në "gropën që e kishte hapur vetë". Sikurse edhe në rastin e Yalos, natyrisht, këto rrëfime mbesin fiktive, deri në vërtetimin e tyre si të vërteta.

2.

Por, cila është e vërteta dhe a ekziston një e vërtetë?

Reagimi i menjëhershëm zyrtar në Kosovë ishte se bëhet fjalë për gënjeshtra, fabrikime. Kundruar nga këndi i pyetjes së parashtruar, do të dilte se ekziston vetëm një e vërtetë zyrtare për luftën, ajo që UÇK ka luftuar për liri, një e vërtetë pa kurrfarë shtresimi, me pamundësinë që të bashkëjetojnë në të dy të vërteta, për shembull, se UÇK-ja ka luftuar për liri, porse disa nga pjesëtarët e saj mund të kenë kryer krime, përfshirë edhe këto të parashtruara në akuzën për Kukësin dhe Burrelin.

E vërteta është shumështresore, e përshkruan Yalo në zbulimin e përhershëm të kësaj dileme. Si gardian i shtëpisë në paralagje malore (si në Gërmi në Prishtinë apo rrëzë Dajtit në Tiranë), fillimisht shikon çiftet e fshehura në makina që vijnë për të bërë seks, e pastaj me t‘u treguar kallashnikovin, përfiton seks nga femrat dhe para nga dashnorët e tyre. Në mjeshtërinë e shkrimtarit, i akuzuari paraqet disa versione të së vërtetës, që të gjitha "të vërteta" në të cilat beson ai. Në versionet e tij, seksi dhe paratë i ofrohen vetvetiu, ndonjëherë vetëm pse e tregon "kallashin". Në ato versione edhe akti i dhunimit shndërrohet në një akt i nënshtruar interpretimit; Yalo do të zbulojë vetëm tash, duke shkruar rrëfimin e tij jetësor ulur mbi një shishe të kolës, se ndoshta njëra prej viktimave nuk kishte dashur të kishte seks me të.

3.

I ulur vetëm, përballë një flete të bardhë në të cilën duhet shkruar për jetën, Yalos do t‘i bjerë në mend sekreti i sepjes, që arabët e quajnë si "ngjyrëbërësin". "Ai kuptoi se kjo krijesë e detit ishte e para që zbuloi shkrimin, sepse shkroi me ngjyrën e vet në vetëmbrojtje dhe për të rezistuar vdekjen. Armiqtë e tij ishin krejtësisht të hutuar nga ngjyra e hedhur në fytyrat e tyre dhe sepja mund të ikte...".

Megjithatë, ai, po ashtu, do të kuptojë përgjatë romanit se sepja, përkundër mjeshtërisë së ikjes me lëshim të ngjyrës, gjithnjë bie në rrjetin e peshkatarit, dhe zihet së bashku me ngjyrën e vet.

Në romanin e Khouryt, ngjyra e sepjes në fund nuk e shpëton atë. Yalo dhe vetë Libani kanë rrëfime të panumërta, por në fund janë të zier në luftë dhe dalin prej saj me plagët e veta të thella, ende të pashëruara. Në rastin e akuzave për njësitet apo personat e UÇK-së, ngjyra e sepjes tashmë është në sipërfaqe: ekziston akuza, ekzistojnë deponime të hetuesit, ekziston një rrëfim që po zhvillohet e që nuk do të thotë se është i vërtetë, diçka që po paraqitet si një e vërtetë e fshehur.

Ngjyra, megjithatë, nuk po mund të dëbojë nevojën e të vërtetuarit: ka pasur apo jo burgje sekrete, ka pasur apo jo torturë civilësh, madje edhe ekzekutim të tyre? A është kjo pjesë e rrëfimit për personat e zhdukur të Kosovës?

4.

Në roman, Yalo, në një fazë të avancuar të të mbushurit të fletëve të bardha, zbulon se "të shkruarit është mënyra e vetme e të mbajturit mend, sepse ndryshe jeta e njerëzve do të kufizohej në të tashmen dhe ata do të jetonin pa kujtesë, si shtazët".

Por, kujtesa bart me vete rrëfime, të cilat kryepersonazhi, i mbushur me rrëfime lufte nuk mund t‘i përpijë më. Rrëfime, si ai i vitit 1860, të njërës prej luftërave libaneze, të njërës prej masakrave, ku njëri fqinj vret tjetrin dhe para se t‘ia presë kokën i thotë: "Ti je mik i imi. Jam unë ai që do të vras. Mos u friko. Nuk do të ndish gjë, vetëm një thumbim grerëze".

Të mbahet mend gjakftohtësia e vrasjes, e kapacitetit për të vrarë? Përse?

Në roman, për të treguar kontekstin se prej nga vjen gjithë ai kapacitet dhune pas njëqind vjetësh. Njëra dhunë ka sjellë tjetrën.

Në shoqërinë bashkëkohore, mbamendja e krimit kolektiv po bëhet mu për ta ndërprerë zinxhirin e dhunës, për ta ndërprerë kauzalitetin e njërës dhunë që shkakton tjetrën. Andaj janë edhe Komisionet e të së Vërtetës e Pajtimit në Afrikën Jugore, andaj Tribunalet për krimet kundër njerëzimit, andaj është vëmendja ndaj krimeve që bëhen në luftë.

Andaj edhe përpjekja për të gjetur të vërtetën... Në dallim nga personazhi i romanit mjeshtëror libanez, pa të ndenjurit mbi shishen e kolës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›