SHBA – Gjykata: Trump përdori në mënyrë të paligjshme Gardën Kombëtare në Los Anxheles

UASHINGTON, 2 shtator /ATSH/ – Një gjykatë federale në Kaliforni ka vendosur se mënyra se si presidenti Donald Trump përdori Gardën Kombëtare në Los Anxheles këtë verë ishte e paligjshme, sipas BBC.
Ky vendim vjen ndërsa Trump synon të përdorë trupat e Gardës Kombëtare për të luftuar krimin në qytete të tjera amerikane dhe për të mbështetur zbatimin e ligjit të emigracionit.
Gjykatësi i Distriktit të SHBA-së Charles Breyer, tha se Trump shkelte “Ligjin Posse Comitatus”, i cili kufizon fuqinë e qeverisë federale për të përdorur forcën ushtarake në çështje të brendshme.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha se “një gjykatësi rebel po përpiqet të rrëmbejë autoritetin e komandantit suprem për të mbrojtur qytetet amerikane nga dhuna dhe shkatërrimi”.
Vendimi është pezulluar deri më 12 shtator. administrata e Trump pritet të apelojë vendimin.
“Presidenti është i përkushtuar të mbrojë qytetarët që respektojnë ligjin, dhe kjo nuk do të jetë fjala e fundit për këtë çështje”, tha znj. Kelly.
“Gjykata i dha të drejtë demokracisë dhe Kushtetutës”, tha guvernatori Gavin Newsom.
Trump kishte dërguar trupat e Gardës Kombëtare në Los Anxhelos në qershor si përgjigje ndaj protestave kundër bastisjeve të emigracionit. Shtëpia e Bardhë argumentoi se ishte e nevojshme për të qetësuar dhunën, ndërsa zyrtarët e Kalifornisë thanë se forcat e tyre të zbatimit të ligjit mund ta menaxhonin situatën pa ndërhyrje ushtarake.
Presidenti gjithashtu ka dërguar qindra trupa të Gardës Kombëtare në Uashington DC dhe po shqyrton dërgimin e trupave në Çikago që këtë javë.
Vendimi i gjykatësit Breyer vlen vetëm për Kaliforninë, por mund të sinjalizojë sfida ligjore për planet e Trump për përdorimin e Gardës në zbatimin e politikave të tij./ /Ad.Ab./