SHBA – Rubio kundërshton thirrjen e Hezbollahut për revoltë kundër qeverisë libaneze

UASHINGTON, 25 maj /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka kritikuar ashpër liderin e milicisë islamiste “Hezbollah”, Naim Qassem pasi ky i fundit deklaroi se populli libanez kishte të drejtë të ngrihej kundër qeverisë.
Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem akuzoi të dielën në mbrëmje qeverinë libaneze se kishte dështuar në mbrojtjen e vendit në konfliktin me Izraelin.
“Populli ka të drejtë të dalë në rrugë dhe të rrëzojë qeverinë”, deklaroi Qassem në një fjalim televiziv.
“Nëse kjo qeveri nuk është në gjendje të vendosë sovranitetin, atëherë duhet të largohet”, shtoi ai.
Në reagimin e tij, Rubio tha se komentet e Qassem tregojnë se Hezbollahu po përpiqet ta rikthejë Libanin “në kaos dhe shkatërrim”.
“Nuk do të lejojmë që kërcënimet me dhunë të Hezbollahut të mbizotërojnë”, deklaroi Rubio.
Qassem e përshkroi qeverinë libaneze si një “projekt amerikano-izraelit që synon institucionet e vendit”, ndërsa hodhi poshtë thirrjet e reja për çarmatimin e lëvizjes së mbështetur nga Iran.
“Ne do t’i mbajmë armët tona derisa shteti libanez të jetë në gjendje të përmbushë detyrën e tij për mbrojtjen dhe ruajtjen e Libanit, popullit dhe burimeve të tij”, tha ai për televizionin al-Manar të Hezbollahut.
Libani dhe Izraeli kanë zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta politike që nga mesi i prillit, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Uashington.
Çarmatimi i Hezbollahut mbetet një nga çështjet kryesore të negociatave, megjithëse vetë grupi nuk merr pjesë në to.
Analistët dhe vëzhguesit politikë kanë paralajmëruar se çdo përpjekje për çarmatosjen me forcë të Hezbollahut, mund ta zhysë Libanin në një krizë të re të madhe.
Disa druhen nga përsëritja e ngjarjeve të majit 2008, kur në Bejrut shpërthyen përplasje pas përpjekjes së qeverisë për të shkatërruar rrjetin e telekomunikacionit të Hezbollahut.
Përleshjet mes mbështetësve të Hezbollahut dhe forcave pro qeveritare shkaktuan dhjetëra të vrarë. //a.i/