E Diel, 1 Nëntor 2026

TEHERAN – Irani: Diskutime bërthamore me SHBA-në, vetëm pas marrëveshjes kornizë për t’i dhënë fund luftës

BERLIN, 25 maj /ATSH-DPA/- Irani deklaroi sot se do të negociojë për programin e tij bërthamor vetëm pasi të arrihet një marrëveshje kornizë në bisedimet për përfundimin e konfliktit.

“Detajet e programit bërthamor nuk po diskutohen aktualisht”, u tha sot gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei.

Baghaei iu përgjigj një pyetjeje lidhur me raportimet mediatike për një afat të ri në negociata.

Marrëveshja kornizë, e cilësuar nga negociatorët si memorandum mirëkuptimi, thuhet se përbëhet nga 14 pika.

“Kjo marrëveshje me 14 pika fokusohet në përfundimin e luftës dhe, nëse ajo arrihet, brenda një periudhe 60-ditore do të zhvillohen edhe bisedime për çështjet që lidhen me programin bërthamor”, tha ai.

Ky qëndrim ndryshon pak nga pozicionet e mëparshme negociuese të Teheranit.

Irani ka kërkuar vazhdimisht që fillimisht të zgjidhet konflikti dhe të hiqet bllokada detare amerikane ndaj anijeve që hyjnë ose dalin nga portet iraniane. Vetëm më pas mund të zhvillohen negociata për programin bërthamor.

Së fundmi, presidenti amerikan, Donald Trump shkroi në “Truth Social” se një marrëveshje kornizë ishte “negociuar në masë të madhe”.

Më vonë ai shtoi se të dyja palët duhej të merrnin kohën e tyre dhe ta bënin siç duhej. “Nuk duhet të ketë gabime!”, tha Trump.

Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi se objektivi kryesor në konflikt mbetet që Irani të mos zotërojë kurrë armë bërthamore.

Sipas tij, askush në botë nuk mban një qëndrim kaq të ashpër ndaj kësaj çështjeje sa presidenti amerikan, Donald Trump. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›