PEKIN – Kina kritikon vizitën e ligjvënësve gjermanë në Tajvan

KINË, 25 maj /ATSH-DPA/- Pekini ka kritikuar vizitën e një delegacioni deputetësh gjermanë në Tajvan, duke ritheksuar kundërshtimin e tij ndaj kontakteve zyrtare mes ishullit vetëqeverisës dhe vendeve që mbajnë marrëdhënie diplomatike me Kinën.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning deklaroi sot në Pekin se Tajvani është “pjesë e pandashme e Kinës”.
Sipas saj, parimi “Një Kinë” përbën “bazën politike” të marrëdhënieve kino-gjermane.
“I bëjmë thirrje personave përkatës në Gjermani të respektojnë parimin “Një Kinë” dhe të ndalojnë dërgimin e sinjaleve të gabuara për forcat që mbështesin pavarësinë e Tajvanit”, tha ajo.
Pekini prej kohësh ka bërë të qartë se synon ta vendosë Tajvanin, i njohur zyrtarisht si Republika e Kinës, nën kontrollin e tij.
Sipas politikës kineze “Një Kinë”, vendet e tjera pritet të njohin Republikën Popullore të Kinës si përfaqësuesen e vetme të Kinës dhe Tajvanin si pjesë të territorit të saj.
Gjermania mban marrëdhënie diplomatike vetëm me Pekinin, ndërsa njëkohësisht zhvillon forma të tjera bashkëpunimi me Tajvanin.
Delegacioni pesëanëtarësh ndërpartiak, i udhëhequr nga deputeti i të Gjelbërve, Till Steffen, mbërriti në Tajvan gjatë fundjavës. Qëllimi i vizitës është zgjerimi i bashkëpunimit me ishullin.
Delegacioni pritet të takohet nesër me presidentin tajvanez, Lai Ching-te. Pekini e konsideron Lai një separatist, pasi Partia Demokratike Progresive që ai drejton mbështet pavarësinë e Tajvanit. //a.i/