SHBA – Trump: Rënia e Amerikës ka marrë fund

UASHINGTON, 20 janar /ATSH-DPA/- Presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump kritikoi administratën e paraardhësit të tij Joe Biden në fjalimin e tij inaugurues, në Kapitol – duke e quajtur zgjedhjen e tij “një mandat për të kthyer plotësisht një tradhti të tmerrshme”.
Ai theksoi korrupsionin, paaftësinë e qeverisë, dështimin për të mbrojtur qytetarët amerikanë nga kriminelët, dështimin për të trajtuar migrimin e parregullt, paaftësinë për t’u përballur me kriza të tilla si përmbytjet e fundit në Karolinën e Veriut dhe zjarret në Los Anxheles.
“Ne kemi një sistem shëndetësor publik që nuk funksionon në kohë katastrofash, megjithatë shpenzohen më shumë para për të se çdo vend tjetër në botë, dhe ne kemi një sistem arsimor që i mëson fëmijët tanë të kenë turp për veten e tyre, në shumë raste, të urrejmë vendin tonë, pavarësisht dashurisë që ne përpiqemi me kaq dëshpërim t’u ofrojmë atyre”, tha Trump.
E gjithë kjo do të ndryshojë duke filluar nga sot dhe do të ndryshojë shumë shpejt”, tha ai.
“Që nga ky moment, rënia e Amerikës ka përfunduar”, shtoi Trump.
Donald Trump është betuar sot si president i SHBA-së në ndërtesën e Kapitolit, në Uashington.
Trump bëri betimin në një ceremoni madhështore ku morën pjesë familja e tij, ish-presidentë amerikanë dhe personalitete nga SHBA-ja dhe jashtë saj.
“Epoka e Artë e Amerikës fillon pikërisht tani”, tha ai në fjalimin e tij inaugurues.
“Unë thjesht do ta vendos Amerikën të parën”, shtoi Trump. //a.i/