E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA- Kine rifillon dialogu ushtarak

Shtetet e bashkuara dhe Kina tentojnë të forcojnë bashkëpunimin në fushën ushtarake. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates është takuar në Pekin me homologun e tij kinez, Liang Guanglie.

Në qendër të bisedimeve gjatë vizitës së tij katërditore në këtë vend është rifillimi i dialogut ushtarak, të cilin Kina e ka ndërprerë gjatë vitit të kaluar për shkak të qëndrimit të Uashingtonit zyrtar ndaj krizës në Tajvan. Tema të tjera të bisedimeve janë kriza midis dy Koreve dhe grindjet rreth programit atomik iranian.

Gates është i interesuar që të përmirësohet edhe lufta e përbashkët në misionet humanitare kundër piraterisë. Sipas tij vizita tregonte se Kina tashmë kishte interes të forconte anën ushtarake të marrëdhënies, por ai shtoi se Uashingtoni mbetej i shqetësuar rreth potencialit ushtarak në rritje të Kinës.

Ministri kinez i mbrojtjes tha se Pekini ishte dekada prapa vendeve të zhvilluara përsa i përket teknologjisë së armëve. Por në muajt e fundit, amerikanët kanë shprehur shqetësim sidomos për një program raketash balistike që mund të fundosin aeroplanmmbajtëset amerikane.

Fotografi të reja të botuara javën e kaluar gjithashtu sugjerojnë se vendi ka një prototip avionësh luftarakë. Kina pretendon se zhvillimi ushtarak i saj është paqësor ndërsa analistët shprehen se ekziston shqetësimi në Pekin se Shtetet e Bashkuara mund të përpiqen të rrethojë vendin duke forcuar aleancat në rajon.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›