Thaçi: Nenet 37 dhe 38 duhet të riformulohen

Qëndrimi i zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi lidhur me dy nenet problematike të Kodit Penal të Kosovës, janë forcuar nga kryeministri Hashim Thaçi.
Ai tha se këto dy nene duhet të riformulohen, sipas standardeve ndërkombëtare.
“Qëndrimi i prezantuar i zëvendëskryeministrit Kuçi sa i përket neneve 37 dhe 38 është qëndrim edhe i Qeverisë së Kosovës dhe i imi. Natyrisht se kërkohet edhe rivlerësim dhe riformulim. Do të kemi kod por edhe nene të standardeve më të larta evropiane dhe perëndimore”, tha Thaçi, sic transmeton RTK.
Këto komente, kreu i ekzekutivit të vendit i bëri në takimin e njëmbëdhjetë të Këshillit Ministror për Integrime Evropiane. Me këtë rast, kryeministri tha se nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë e Kosovës sesa agjenda evropiane.
Ai kërkoi konsensus nga ndërmjet pozitës dhe opozitës, por edhe konsensus mes komuniteteve për përmbushjen e agjendës evropiane. Kryeministri Thaçi kërkoi nga ministrat e kabinetit të tij më shumë përkushtim në përmbushjen e prioriteteve të parapara.