E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Armëpushimi në Gjeorgji, duhet forca e diplomacisë

Autori i Lajmit: red.
Sekretarja Amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs dhe kolegët e saj të G-7 kanë bërë një apel të përbashkët për Rusinë që të pranojë armëpushimin e ofruar nga Gjeorgjia dhe të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e fqinjit të saj më të vogël. Zonja Rajs dhe ministrat e Jashtëm të Japonisë, Italisë, Francës, Gjermanisë, Britanisë dhe Kanadasë diskutuan rreth krizës në një konferencë telefonike, duke mbështetur përpjekjet ndërmjetësuese të ministrit të Jashtëm francez, Bernard Kushner dhe ministrit të Jashtëm finlandez, Aleksandër Stubb, që përfaqësojnë BE-në dhe OSBE-në. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Robert Vud, tha se konferenca telefonike është një prej 90 bisedave që sekretarja Amerikane e Shtetit, Rajs, ka zhvilluar me udhëheqësit e huaj që nga dita e premte, në përpjekje për të ndalur luftimet. Sekretarja e Shtetit ka folur në çdo rast që ka pasur gjatë kësaj periudhe me Presidentin gjeorgjian, Saakashvili, dhe ministrin e Jashtëm rus, Lavrov, mes të tjerëve. Zëdhënësi Vud tha se fokusi është përfundimisht tek diplomacia, dhe nuk diskutohet që të ketë ndërhyrje ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe ndihma ushtarake për Gjeorgjinë. "E para ne nuk marrim pjesë në asnjë konflikt. Ne nuk kemi asnjë marrëveshje me Gjeorgjinë që t i kthejmë trupat e tyre nga Iraku në Gjeorgji. Ne nuk jemi pjesë e këtij konflikti. Ne po i bëjmë thirrje Rusisë që të ndalë agresionin dhe të bjerë dakord me përpjekjet për ndërmjetësim", - tha ai. Zëdhënësi tha se specialisti i Departamentit të Shtetit për rajonin e Kaukazeve, zëvendësndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane, Mattheë Bryza, arriti dje në Tbilisi për t iu bashkaur përpjekjeve ndërkombëtare për ndërmjetësim. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë nisur që të shpërndajnë ndihma humanitare në Gjeorgji. Një ndihmë fillestare prej 250 mijë dollarësh nga ambasada amerikane në Tbilisi u konsumua shumë shpejt dje, por ai tha se po hartohen plane për të sjellë ndihma emergjente nga Gjermania. Departamenti i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara ndihmuan në evakuuimin e rreth 170 shtetasve amerikanë nga Gjeorgjia drejt Armenisë. Anëtarë të familjeve të personelit të ambasadës amerikane, gjithashtu janë larguar, megjithatë misioni diplomatik amerikan në Tbilisi ende është i hapur.

Gjeorgjia vend i rëndësishëm transit për energjinë

Gjeorgjia, e përfshirë në konflikt me Rusinë, është një nga rrugët kryesore energjitike që furnizon Perëndimin. Dy nga naftësjellësit më të mëdhenj kalojnë nëpër kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisi, ku edhe ndodhen disa porte për eksportin e naftës. Gjeorgjia dhe vendet e tjera transit kanë për detyrë të garantojnë sigurinë e naftësjellësve, që transportojnë naftë dhe gaz nga territori i Azerbajxhanit në Detin Kaspik. Nga Tbilisi, impiantet drejtohen në jug në Turqi, larg krahinës separatiste Osetisë së Jugut, vendi i luftimeve. Këta naftësjellës vlerësohen si shumë të rëndësishëm nga Bashkimi Evropian, pasi ulin vartësinë nga furnizimet ruse dhe për më tepër nuk kalojnë nëpër territorin rus. Por eksportet e naftës dhe gazit u ndërprenë nga shpërthimet që ndodhën në Turqi javën e kaluar. PKK mori përsipër përgjegjësinë për sulmin, dëmet e të cilit mund të riparohen pas rreth dy javëve. Eksporti i naftës dhe nënprodukteve të saj nga disa porte gjeorgjiane të Detit të Zi është ndërprerë. Më poshtë vijojnë disa të dhëna për rrugët kryesore të eksportit të naftës dhe gazit gjeorgjian dhe atij azer.

Naftësjellësi Baku-Ceyhan

Kapaciteti transportues: 850 mijë fuçi në ditë. Naftësjellësi i drejtuar prej British Petrolium në brigjet turke të Mesdheut është një linjë strategjike si për Azerbajxhanin ashtu edhe për Evropën, pasi është linja e parë që kalon në ish-territorin e Bashkimit Sovjetik dhe anashkalon Rusinë. Kapaciteti i tij është përcaktuar të rritet në 1,2 milion fuçi në ditë, vitin e ardhshëm kur një tjetër grup i drejtuar nga British Petrolim të rrisë prodhimin në vendburimet azere të naftës në det. Kapaciteti mund të arrijë deri në mbi 1,6 milion fuçi në ditë kur kësaj linje t i bashkohen edhe kompanitë e naftës që punojnë në Kazakistan. Naftësjellësi nuk është vënë në punë deri sot për shkak të një shpërthimi në pjesën turke. British Petrolium deklaroi se ky fakt e lironte atë nga detyrimet kontraktuale për eksportet në degën turke dhe po përpiqet t i dërgojë ngarkesat e saj nga portet gjeorgjiane dhe ato ruse të Detit të Zi.

Portet gjeorgjiane të naftës në Detin e Zi

BATUMI - Kapaciteti: 300 mijë fuçi në ditë, por ngarkon 200 mijë fuçi, përfshirë 100 mijë fuçi naftë në ditë të Exxon Mobil s Azeri dhe 100 mijë fuçi në ditë me produkte të përpunuara që vijnë nga Kazakistani dhe Turkmenistani dhe që transportohen nga Deti Kaspik. Nga ky port kanë vazhduar ngarkesat për Exxon pasi Kazakistani urdhëroi ndaljen e dërgesave.

POTI - Kapaciteti - 100 mijë fuçi në ditë produktesh të përpunuara të naftës që vijnë nga Azerbajxhani nëpërmjet hekurudhës. Jashtë pune, pasi Gjeorgjia deklaroi se Rusia e bombardoi rëndë portin, fakt që Rusia e mohon.

KULEVI - Terminali i ndërtuar kohët e fundit ka një kapacitet prej 100 mijë fuçish në ditë që mund të arrijnë gradualisht në 200 mijë. Nga ky port ngarkohen kryesisht produkte të rafinuara që vijnë nga Azerbajxhani nëpërmejt hekurudhës. Burime tregtare kanë deklaruar se porti është në funksion, por sasia e eksportit është ulur ndjeshëm.

SUPSA - Porti ka qenë jashtë funksionit për disa muaj pasi British Petrolium përdori naftësjellësin Baku-Ceyhan. Mund të përballojë eksportin e rreth 150 mijë fuçive në ditë. British Petrolium ka filluar eksportin e naftës bruto nga Ceyhan drejt Supsas, që ndodhet larg zonës së konfliktit.

Novorosisku rus

Azerbajxhani mund eksportojë rreth 90 mijë fuçi naftë bruto në ditë nëpërmjet një naftësjellësi ekzistues drejt portit rus në Detin e Zi, Novorosisk. Baku nuk e ka përdorur këtë rrugë në të kaluarën, por Rusia ka lejuar rritjen e përdorimin pas problemeve që ndodhën në naftësjellësin BTC.

Gazsjellësi Baku- Tbilisi-Erzurum

I njohur si gazsjellësi Shakh-Deniz, transporton gaz nga British Petrolium dhe nga fushat e gazit “Statoil Shakh Deniz” në Detin Kaspik drejt Erzurumit në Turqi. Filloi eksportet drejt Turqisë në vitin 2007 dhe është në gjendje të transportojë 20 miliardë metra kub gaz. British Petrolium deklaroi se ishte e detyruar të ulte prodhimin e gazit të lëngshëm nga fushat për shkak të problemeve në Baku-Ceyhan.

Ky lajm është publikuar: 13/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›