E Diel, 1 Nëntor 2026

Suzana Turku me korin “Gjon Simoni” sot në “Petro Marko”

Autori i Lajmit: red.
Anija “Sea Cloud” me pasagjerë nga Evropa përgjatë itinerarit të Marko Polos në brigjet e detit Jon dhe Adriatik, pas një vizite dhe një koncerti në Athinë dhe Itakë, do të ndalojë sot në portin e Vlorës për një vizitë të vogël kulturore. Gjatë kësaj ndalese, vizitorët “pasagjerët e anijes” do të vizitojnë Apoloninë e Fierit. Në vijim të vizitës në orën 11.00 ata do të ndjekin një koncert nga artistë të shquar shqiptarë me një program të larmishëm i përbërë: Në pjesën e parë në interpretimin e korit femëror “Gjon Simoni” nën drejtimin e mjeshtres Suzana Turku, nga këngë korale bizantine tek këngët korale shqiptare të bazuara në polifoninë labe. Në pjesën e dytë të programit do të vijojë sopranoja e mirënjohur shqiptare, Etleva Golemi, shoqëruar nga orkestra e dhomës së Tiranës nën drejtimin e Pjetër Guralumit me arie nga repertori ndërkombëtar si dhe arie të kompozitorëve shqiptare. Edhe pse Suzana Turku tani në postin e zëvendësministres, nuk ka ngurruar të marrë pjesë në këtë eveniment kulturor në përmirësimin e turizmit kulturor. Ky aktivitet nuk ka asnjë lidhje me ministrinë në të cilën ajo punon, por Turku nuk ka ngurruar të marrë pjesë aty së bashku me korin “Gjon Simoni”, të cilin e ka krijuar vetë në vitin 2000. Koha e paktë që ajo ka në dispozicion për t u marrë me aktivitete artistike nuk është kursyer nga dirigjentja e talentuar. Ajo ka punuar për disa ditë rresht me korin për përgatitjen e këtij aktiviteti, i cili do të vijojë me disa të tjerë në vjeshtë. Në vijim kjo anije me vela “ Sea cloud” do të vazhdojë itinerarin e saj me vizita në qytete si Dubrovniku, në vijim me një koncert nga orkestra sinfonike e Dubrovnikut me muzikë të Joaquim Rodrigo dhe pianistja franceze Danielle Laval si dhe kuarteti KOCIAN, më pas në qytetin e Hvar, në vijim një koncert nga violinisti i famshëm Vadim Repin dhe pianisti Nikolai Luganski, më pas një vizitë në qytetin e Splitit dhe një koncert nga tenori i famshëm Max Emanuel Cencic dhe pianistja Megumi Otsuka, më pas një vizitë në Pula dhe në përfundim një vizitë në Venecia duke përfunduar me një koncert të Orkestrës së Muzikës Baroke të Venecias kushtuar muzikës së Vivaldit. Ardhja e kësaj anijeje në Shqipëri, në veçanti në qytetin antik të Apolonisë dhe qytetin e Vlorës, mbartëse dhe përfaqësuese e denjë e traditës së polifoninë shqiptare, me vizitorët e saj evropianë ndërmjet tyre dhe muzikologë të shquar francezë, do të shërbejë për promovimin e vlerave kulturore që mbart vendi ynë dhe në promovimin e turizmit kulturor shqiptar ndaj publikut evropian.
Ky lajm është publikuar: 13/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›