SHBA-BE: Jepini fund krizës. Sot është koha për marrëveshje
Koha është tani. Duhet kompromis. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian lëshuan dje apelin e qartë për klasën politike, disa orë para fillimit të negociatave në Strasburg. Ambasada e SHBA-ve në Tiranë dhe Presidenca Spanjolle e BE-së, përmes Miguel Ángel Moratinos, janë treguar mjaft të qarta dhe të ashpra. Sali Berisha dhe Edi Rama duhet të firmosin kapërcimin e krizës, për të hapur dritën jeshile në procesin integrues të vendit. Dy ditë më parë ishin kreu i PPE në Parlamentin Europian, Josep Doul, dhe ai i partive të majta, Martin Shulz, ata që nisën një letër të hapur për Sali Berishën dhe Edi Ramën. Aty thuhej qartë se, në qoftë se nuk ka një zgjidhje të situatës politike, do të merret vendimi për ngrirjen e procesit të integrimit të Shqipërisë. “Dy grupet tona politike kanë frikë se nuk mund të nxirret një konkluzion mbi çështjen e funksionimit të demokracisë pa zgjidhjen me kompromis të krizës politike aktuale. Ne do të preferonim të kërkonim së bashku ndërprerjen e procesit të anëtarësimit deri në kohën kur të arrihet një zgjidhje e ndershme e ngatërresës, në vend që të rrezikohet një rekomandim negativ”, thuhej në këtë letër.
Apeli SHBA“Mirëpresim nismën e Bashkimit Europian dhe Parlamentit Europian për të organizuar një takim të udhëheqësve të shumicës dhe opozitës së Shqipërisë sonte në Strasburg”, thuhej në deklaratën zyrtare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Nxisim të dyja palët, vijon njoftimi, që ta shfrytëzojnë këtë mundësi në frymën e bashkëpunimit dhe dialogut dhe për të arritur një kompromis sa më shpejt që të jetë e mundur. “Koha për marrëveshje është sot. Populli shqiptar ka nevojë urgjente për fundin e krizës politike dhe që Shqipëria t’i kthehet përqendrimit tek axhenda e saj euro-atlantike”, nënvizon ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Apeli i BE-sëMinistri spanjoll i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit, Miguel Ángel Moratinos, priti mëngjesin e djeshëm zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Z. Ilir Meta. Takimi u fokusua në marrëdhëniet bilaterale dhe në situatën e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të përgatitjeve për Mbledhjen e Nivelit të Lartë në Sarajevë, si dhe në veçanti në krizën politike që po kalon aktualisht Republika e Shqipërisë. Gjatë takimit, ministri Moratinos ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin e Shqipërisë, z.Berisha, të cilin e ka inkurajuar për të gjetur një zgjidhje për krizën sa më parë që të jetë e mundur. Për këtë qëllim, ministri Moratinos pati gjithashtu një bisedë telefonike me liderin e Opozitës, z.Rama, të cilit i kërkoi që ta përfundonte grevën e urisë që po zhvillohej prej disa ditësh. “Qeveria e Spanjës shpreson që të dyja palët të arrijnë një zgjidhje sonte në takimin në Strasburg, me ftesë të presidentëve të grupeve parlamentare socialiste dhe popullore të Parlamentit Europian, si dhe me pjesëmarrjen e Komisionerit për Zgjerim dhe Politika Europiane për Fqinjësi, Z. Fule”, thuhej në deklaratën e Moratinos.
#