E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA-BE apel deputetëve: Votoni zgjatjen e afateve të vettingut, i mbështesim fuqishëm

Deputetët, të enjten, në seancë plenare, duhet të votojnë ndryshimet kushtetuese, lidhur me zgjatjen e afateve të vettingut. Apeli i fortë në adresë të deputetëve, është bërë nga SHBA dhe BE, në një deklaratë të përbashkët. Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe ambasada e SHBA-së, lëshuan pak minuta më parë një deklaratë të përbashkët, ku u kërkohet deputetëve që të votojnë për zgjatjen e afateve të vettigut.

SHBA- BE nënvizojnë se reforma në drejtësi po jep rezultate, duke kërkuar që të votohet zgjatja e afateve të vettingut, ndryshime kushtetuese këto të propozuara nga mazhoranca. Votimi është parashikuar të bëhet ditën e enjte, në seancë plenare.

“Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në reformat e anëtarësimit në BE. Ndër hapat më të vështirë, por thelbësorë, ka qenë miratimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Jemi në një moment të rëndësishëm pasi reforma në drejtësi po jep rezultate. Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element themelor i reformës në drejtësi. Për t’u mundësuar institucioneve të vetingut të kryejnë misionin e tyre, është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës për ta zgjatur mandatin e tyre për nje periudhë të kufizuar. Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike. Zgjatja e propozuar e vetingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët- pavarësisht nga përkatësia partiake- ta shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”, thuhet në deklaratën e përbashkët të SHBA-BE, për zgjatjen e afateve të vettingut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›