E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Beogradit: Zbatoni planin Ahtisaari

Diplomaci Zv/sekretari i Shtetit, Steinberg, viziton sot Serbinë

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, James Steinberg, gjatë vizitës së tij në Serbi do t’ia përcjellë Presidentit serb, Boris Tadiç, edhe porosinë amerikane se Uashingtoni insiston në bashkëpunimin e Beogradit në zbatimin e parimeve të Planit të Ahtisarit, përfshirë aty decentralizimin e Kosovës, shkruante dje gazeta serbe “Danas”. Sipas gazetës, në një takim me gazetarë nga rajoni, para turneut të tij ballkanik, Steinberg është shprehur optimist për zhvillimet e deritanishme, ndërsa më së shumti kohë thuhet t’i ketë kushtuar çështjes së dallimeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar aty “interesin e përbashkët për zgjidhje pragmatike” të disa çështjeve kontestuese. “Fuqishëm e përkrahim EULEX-in. Duam të bisedojmë se si të lehtësohet puna dhe si të ndërtohen urat mes dy komuniteteve në Kosovë. Për këtë arsye ekzistojnë interesat e dyanshme dhe është shumë me rëndësi që kjo të bëhet në atë mënyrë që do të pengojë rritjen e jostabilitetit në rajon”, ka thënë Steinberg. “Danas” më tutje raporton se zyrtari i lartë amerikan ka theksuar edhe “nevojën për fokusim në sigurimin e “nivelit pragmatik të bashkëpunimit dhe forcimit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës”. Steinberg ka përsëritur se pozicioni i SHBA-së ndaj pavarësisë së Kosovës dhe hapat e ndërlidhur të administratës amerikane në dy vjetët e kaluar paraqesin kontribut pozitiv për stabilitet dhe përparim në Ballkan, ndërsa ka shtuar se edhe Uashingtoni do të vazhdojë angazhimin e fuqishëm në zgjerimin e bazës së përkrahjes ndërkombëtare dhe njohje zyrtare të Republikës së Kosovës. Ndërsa, duke folur për porositë të cilat ai do t’ia përcjellë Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, gjatë vizitës në Beograd, e cila zhvillohet ditën e sotme, Steinberg ka thënë se oferta e palës amerikane është që në këtë moment të vihen theksat në hapat praktikë të dobishëm për të dyja komunitetet në Kosovë. “Konkretisht, kjo do të thoshte theksim i rëndësisë së punës së përbashkët në planin e decentralizimit dhe zbatimin e parimeve të tjera nga plani i Ahtisaarit”, ka thënë Steinberg, sipas gazetës “Danas”. Sipas tij, kjo rrugë me kohë do të arrinte edhe deri te zgjidhja e “çështjeve ekzistuese formale”. Duke u ndërlidhur me këtë, Steinberg ka lavdëruar vendimet e paradokohshme të Malit të Zi dhe të Maqedonisë që njohjen e pavarësisë së Kosovës ta kompletojnë me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe shkëmbimin e ambasadorëve me Prishtinën, përfundon “Danas”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›