SHBA, Berisha merr pjesë në 100-vjetorin e Vatra-s

Kryeministri Berisha në 100-vjetorin e shoqërisë "Vatra" në SHBA
Në përfundim të vizitës së tij në SHBA, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, mori pjesë si i ftuar nderi në ceremoninë e festimeve të 100 -vjetorit të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”. Ky përvjetor përkon edhe me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. E krijuar më 28 prill të vitit 1912 në Boston, por me qendër sot në New York, Vatra festoi ditën e djeshme 100-vjetorin e themelimit të saj me një aktivitet ku merrnin pjesë drejtues të saj, Kryetari Gjon Bucaj, Zv.kryeministrja e Maqedonisë, Teuta Arifi, ministri i Kosovës për diasporën, Ibrahim Makolli, ambasadori Amerikan, Aleksandër Arvizu, krerët e të katër komuniteteve fetare, të atij mysliman, katolik, ortodoks dhe komunitetit bektashian, anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të Vatra-s etj. Në hapje të ceremonisë, kryetari i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, zoti Gjon Bucaj, falënderoi kryeministrin Berisha, i cili me prezencën e tij në një ditë të shënuar për Vatrën nderoi kujtimin e themeluesve të saj dhe të të gjithë atyre që me përkushtim dhe sakrifica e mbajtën Vatrën përgjatë një shekulli në shërbim të kombit. Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha, shprehu kënaqësinë që merrte pjesë në ditën jubilare të Vatrës për të përshëndetur në emër të qeverisë shqiptare dhe shqiptarëve. /E.K./