E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, Berisha takohet me Hillari Klinton

Berisha - Klinton (takimi i vitit 2009)

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha sapo ka nisur një takim me Sekretaren e Shtetit në SHBA, Hillari Klinton. Para nisjes së takimit Klinton dhe Berisha kanë dhënë një prononcim të shkurtër për mediat.

Është një nder që presim sot kryeministrin e Shqipërisë. Shqipëria ka qenë partnere e fortë e SHBA në misionin në Afganistan. Kemi një marrëdhënie mjaft të gjerë dhe të thellë, është shprehur Klinton duke shtuar se me Berishën do të diskutojë disa çështje dypalëshe, rajonale dhe globale.

Ndërsa Berisha tha se një nga qëllimet e vizitës së tij ishte të bindte Sekretare e Shtetit të SHBA-ve, që të vizitonte Shqipërinë me rastin e 100-vjetorti të pavarësisë.

Jam shumë mirënjohës dhe shumë i lumtur që jam këtu për të takuar Sekretaren Klinton. Ajo është një mike e madhe e vendit tim dhe kombit tim. Dhe pa dyshim që do ju them se një nga qëllimet e këtij takimi është të bind atë për ta pasur në festën e 100-vjeorti të pavarësisë. SHBA-të kanë luajtur një rol kyç në të gjithë moment e vështira të historisë sonë, kështu që çdo shqiptar do të ishte krenar dhe i lumtur, është shprehur Berisha. /F.S/

(vijon)

*    *    *

Berisha në SHBA, u ftua nga VATRA, do takohet me Hillary Clinton

Faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave ka zbardhuar axhendën e kryeministrit Berisha gjatë vizitës së tij në SHBA. Sipas kabinetit të kryeministrit, Berisha do të zhvillojë takime të nivelit të lartë në Departamentin e Shtetit dhe në Kongres në Washington DC, si dhe takime e aktivitete në New York.

Berisha do të zhvillojë të mërkurën një takim me Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, në përfundim të të cilit do të ketë një konferencë të përbashkët për median.

Kryeministri do të takohet me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, i cili është dhe njëkohësisht kreu i Kongresit të SHBA, John Boehner.

Gjithashtu, kryeministri do të ketë në Washington DC, takime me personalitete të tjera si senatorja Jeanne Shaheen, Kryetare e Nënkomitetit për Çështjet Europiane, Richard Morningstar, i Dërguari i Posaçëm i Sekretares së Shtetit për Energjinë në Euroazi, etj..

Gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri Berisha është i ftuar në ceremoninë e prezantimit të filmit dokumentar Besa, me producente Johanna Neumann, në Holocaust Memorial Museum, në Washington DC, ku Berisha do ti drejtohet audiencës me një fjalë, si dhe do ti akordojë zonjës Neumann çmimin e mirënjohjes.

Një moment të veçantë në axhendën e Kryeministrit është pjesëmarrja si i ftuar nderi në kremtimin e 100 vjetorit të themelimit të Federatës VATRA, në New York. Me këtë rast, do të zhvillohet konferenca shkencore Federata Pan-shqiptare e Amerikës VATRA, 100 Vjet në shërbim të kombit, ku krahas fjalës së kryeministrit, do të mbajnë kumtesa studiues e akademikë shqiptarë.

Kryeministri Berisha, gjatë qëndrimit në Washington DC, do të vizitojë shtëpinë muze të Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetësit të madh të pavarësisë së Shqipërisë, Woodrow Wilson. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›