Këshilli i Sigurimit ndëshkon Iranin me sanksione të ashpra
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar ditën e djeshme sanksione të reja kundër Iranit, pas paralajmërimeve për të mos prodhuar armë bërthamore. Ministrja e jashtme e SHBA-ve, Hilari Klinton sqaroi se këtë herë bëhet fjalë për sanksionet më të ashpra ndëshkuese që bashkësia ndërkombëtare ka marrë deri tani për Iranin. Nga sanksionet e reja do të preken posaçërisht ndërmarrjet iraniane. Përmes këtyre sanksioneve provohet që Teherani të bindet të ndryshojë politikën për programin e tij të diskutueshëm bërthamor. Ndër të tjera janë paraparë bllokimi i xhirollogarive jashtë vendit si dhe ndalimet tregtare.
Reagimet
Vetëm disa orë para zhvillimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia kanë reaguar zyrtarisht ndaj propozimit të Iranit për t’i dërguar disa nga materialet e tij bërthamore në Turqi, në shkëmbim të karburantit bërthamor. Diplomatët thanë se përgjigjja i është përcjellë Iranit përmes shefit për Energji Atomike Ndërkombëtare në Vjenë, Yukiya Amano. Marrëveshja, sipas së cilës Irani do të dërgonte pjesë të uraniumit të pasuruar në Turqi, u ndërmjetësua nga Turqia dhe Brazili, muajin e kaluar. Fuqitë perëndimore kanë thënë se plani nuk i adreson shqetësimet e tyre lidhur me programin bërthamor të Iranit, për të cilin druajnë se synon prodhimin e armëve. Irani e mohon një gjë të tillë. Presidenti Mahmud Ahmadinexhad tha dy ditë më parë se Irani do të refuzojë çdo bisedë të mëtutjeshme nëse miratohet rezoluta. Sipas tij, marrëveshja për shkëmbimin e karburantit ishte një mundësi që “nuk do të përsëritet”.
Kritika
Në konfliktin bërthamor me Iranin nuk duket asnjë lloj shtensionimi. Për këtë arsye, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ashpërsoi sanksionet kundër Iranit, ndërkohë që Teherani vazhdon të mos jetë i gatshëm të bashkëpunojë sa duhet. Para më shumë se 40 vjetësh Irani nënshkroi marrëveshjen për ndalimin e armëve bërthamore duke iu nënshtruar në këtë mënyrë Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore me seli në Vjenë, (IAEA). IAEA kontrollon respektimin e marrëveshjes dhe kujdeset sidomos për shfrytëzimin e energjisë bërthamore vetëm për qëllime civile. Në rastin e Iranit, IAEA ka shumë dyshime, që bëhen me të qarta, që kur japonezi Yukija Amano mori vitin e kaluar drejtimin e kësaj agjencie. Deklaratën e fundit për Iranin, Amano tha se Irani është një rast i veçantë, sepse akoma vazhdon të jetë e paqartë, nëse programi atomik iranian ka dimensione ushtarake apo jo. Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe IAEA përmes rezolutave kanë kërkuar sqarime, por deri tani kjo nuk është arritur. Studimet shkencore dhe hulumtimet në fushën e energjisë bërthamore janë të lejueshme për shtetet, që kanë nënshkruar marrëveshjen për ndalimin e armëve bërthamore, duke përfshirë edhe pasurimin e uraniumit. Këtij fakti i referohet qeveria në Teheran dhe ajo nuk do të pranojë, që KS-ja e OKB-së disa herë, me presionin e sanksioneve, t’i kërkojë Iranit që të ndërpresë pasurimin.
Bosnjë
Zbulohet një varr masiv në jug të vendit
Një varr masiv me viktima që dyshohet të jenë të luftës së viteve 1992-95 është zbuluar rastësisht në Bosnjë, teksa kryheshin disa punime në infrastrukturë. Zbulimi daton në muajin maj, por vetëm sot është bërë i ditur nga autoritetet lokale, të cilat kanë saktësuar se varri ndodhet pranë qytezës së Bratunovacit, në Republikën Serbe. Mundësitë më të mëdha janë që kufomat t’u përkasin civilëve myslimanë që kanë mbetur viktima të fushatës së spastrimit etnik të kryer nga trupat serbo-boshnjake në territoret lindore të Bosnjës.
Pakistan
Persona të armatosur sulmojnë forcat e NATO-s
Persona të armatosur kanë hapur zjarr ndaj një autokolone të NATO-s në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, duke vrarë katër vetë dhe duke i vënë zjarrin një numri kamionësh përpara se të largoheshin. Policia lokale thotë se dymbëdhjetë persona të armatosur janë përfshirë në këtë sulm, të pajisur me armë automatike dhe granata. Sulmi ndodhi vetëm dhjetë kilometra jashtë Islamabadit dhe kjo mendohet se është hera e parë që një sulm i tillë ndodh kaq pranë kryeqytetit. Kamionët e NATO-s po transportonin furnizime për trupat e Aleancës në Afganistan.
Greqi
Papandreu mohon zërat për daljen nga euro
Kryeministri grek, Jorgos Papandreu ka përgënjeshtruar vlerësimet sipas të cilave Greqia do të dalë nga zona e euros. Vlerësimi rezultoi në një sondazh të publikuar nga agjencia informative “Bloomberg”, dhe shkaktoi alarm e panik në Athinë. Kryeministri, por edhe unioni bankar vendas theksuan se vlerësimet nuk kanë asnjë bazë dhe se Greqia do t’i realizojë objektivat e saj në kuadër të planit për stabilitet ekonomik. Ndërkohë, inflacioni në vend ka shënuar rritjen më të lartë pas 13 vjetësh. “Bloomberg” publikoi një sondazh, sipas të cilit 41 për qind e investitorëve besojnë se Greqia do të detyrohet të dalë nga eurozona.
Holandë
Partia Liberale, favorite për zgjedhjet parlamentare
Pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, hulumtimet e opinionit në Holandë parashikojnë fitore për Partinë Liberale, që ka ftuar për shkurtime të thella të buxhetit, për qeveri më të vogël dhe më pak të mira për imigrantët. Pritet që këto votime të përfundojnë udhëheqjen tetëvjeçare të kryeministrit Jan Peter Balkenende, demokristianët e të cilit ishin në koalicion qeverisës me Partinë Laburiste, deri në shkurt të këtij viti, kur qeveria u shkatërrua, për shkak të mospajtimeve lidhur me zgjerimin e mandatit të trupave holandeze në Afganistan.
Rripi i Gazës
Izraeli premton heqjen e bllokadës pas presionit
Presioni i madh ndërkombëtar ka tërhequr Izraelin që tashmë është i gatshëm të diskutojë për bllokadën e vendosur ndaj Rripit të Gazës. Jeruzalemi zyrtar pohon se do lejojë hyrjen e ndihmave humanitare për palestinezët në rast se do të bëhet një hetim i “limituar” për incidentin me anijen humanitare turke “Mavi Marmara”. Lajmin e bën të ditur gazeta “Daily Telegraph”, sipas së cilës, diplomacia izraelite dhe ajo britanike kanë në dorë një dokument që mund të nënshkruhet nëse të gjitha palët bien dakord.
Hetimi do drejtohet nga juristë izraelitë, diplomatë dhe vëzhgues ndërkombëtarë.
10 Qershor 2010