E Diel, 1 Nëntor 2026

Pashk Përvathi, peizazhi lirik dhe natyra shqiptare në magjinë e pikturës



Peizazhi lirik dhe natyra shqiptare janë tematika dominuese që erdhën mbrëmë në magjinë e pikturës së Pashk Përvathit në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ky koleksion prej 60 vepra arti të titulluara “Rikthimi”, janë imazhe nga vendlindja e artistit-Lezha, nga zona jug-lindore e Shqipërisë: qyteti i Korçës dhe fshatrat e saj (Vithkuq, Drenovë, Boboshticë), nga bjeshkët shqiptare, qyteti i Beratit, Shkodra etj.
I pyetur rreth kësaj ekspozitë piktori Pashk Përvathi tha se, “Kjo ekspozitë është një lloj rikthimi, jo se unë rikthehem në Galerinë Kombëtare të Arteve për herë të tretë por është një rikthim nga një labirinth kërkimesh që i zgjasin artistit gjatë gjithë jetës. Në një moment të caktuar njeriu mendon ti rikthehet asaj që është më e qenësishmja e tij. “Kjo ekspozitë është një konkluzion i kërkimeve të mija 30-vjeçare për të sjellë mbrapa në këtë rrugë që kam zgjedhur dhe është e pasqyruar në këtë koleksion. Ekspozita ka 60 punime ku është përfshirë vjeshta, pranvera, dimri me borë, peizazhe nga Himara, nga Korça, Berati dhe Shkodra. Por vendin kryesor e zë vjeshta, natyra e Korçës, rrethinat në Vithkuq, Drenovë etj. Mendoj se Korça është vendi më i pëlqyer për piktorët për të transmetuar atë çka ai ndjen në veten e tij për vjeshtën dhe natyrën. Natyra e Korçës është e padëmtuar, është ajo çka njerëzit duan të shohin, të prekin pasi në vendet e tjera sidomos në ultësirën perëndimore natyra është dëmtuar nga ndotjet urbane ndërsa ne artistë preferojmë të shkojmë në vende të paprekura”-cilësoi Përvathi.

Portret për At Zef Pllumin
Risia që sjell ky koleksion është ndryshe nga herët e tjera pasi në këtë ekspozitë Përvathi ka paraqitur gjininë e peizazhit. “Sot vij ndryshe pasi në këtë koleksion bëjnë pjesë një cikël portretesh dhe shtatë natyra të qeta. Pra kjo ekspozitë ka një gamë më të larmishme tek portretet, janë përsëri portretet e ciganëve por ka dhe portretet me kostume kombëtare, dhe të veçantin portretin e At Zef Pllumit”. I pyetur rreth raportit me At Zef Pllumin, Përvathi u shpreh “Raporti me At Zef Pllumin ka ndodhur kohët e fundit për hir të një miqësie që unë kam pasur me nipin e tij, studiuesin Agron Gjok Markaj. Vazhdimisht në kokën time ka qenë ideja për të realizuar portretin e figurës së kombit sepse minimalja që mund të bëjmë ne është të realizojmë një portret të paharruar në artin figurativ. Besoj që kam bërë detyrimin më të vogël karshi atij njeriu. Është një portret që më jep ndjesi pozitive. Sa herë që e shoh portretin e tij më kujton At Zefin me atë dimensionin e tij dhe mençurin e tij. Ai kishte një aftësi komunikimi për të transmetuar tek të tjerët atë që mendonte shumë thjeshtë dhe shumë bukur”. Tema e veçantë e kësaj ekspozite është Korça, kryesisht Vithkuqi dhe Drenova. Piktori Prevathi ka qenë pjesëmarrës prej tri vitesh në veprimtarin e artistëve të quajtur “Çmimi Mio”, që organizohet nga Bashkia e qytetit të Korçës dhe që bashkon kryesisht peizazishtët e natyrës. Ky kontakt me natyrën i ka dhënë peizazheve të Përvathit në këtë ekspozitë një freski koloristike, qetësi magjike dhe madhështi që të imponon natyra e kësaj zone. Mozaiku koloristik i këtyre tablove që përbëjnë një cikël mjaftë të bukur dhe me vlerë artistike e shtyn artistin të ruaj dekorativitetin si tipar artistik të tijin. Natyra e kësaj zone e ka frymëzuar piktorin Përvathi, duke fokusuar artistin më afër realizmit me prirje impresioniste. Një peizazh mjaftë i bukur është padyshim dhe peizazhi nga Valbona, ku ndjehet fuqishëm madhështia e bjeshkëve shqiptare, thellësia e planeve që pikturohen së bashku me mjegullën transparente që e mbështjell mes përmes bjeshkën. Në këtë ekspozitë autori ka pikturuar bregdetin e Himarës me një shikim ndryshe pas 20 vjetësh. Në këtë koleksion bëjnë pjesë dhe një seri punësh me borë nga Lezha, nga Shkodra, peizazhe nga laguna e Lezhës, gështenjave të Reçit dhe nga Managalemi i Beratit. Ekspozita shoqërohet me një katalog me ilustrime me ngjyra.

Gazmend Leka: “Si në ditët e para-krijimit të qenies”
... qiej të kaltër e të kthjellët, por të pabanuar nga shpezët.
... ujra të gjelbërta plot zaje, por të pabanuar nga peshqit.
... tokë e blertë dhe e lulëzuar, por e pabanuar nga bagëtia.
Kjo është mbresa e parë që unë dëgjoj nga rrëfimet e tua Pashk! Është ajo çfarë dekanton pasi largohem prej tyre. Nuk gjej në to ajër të ngopur me tymëra, mbeturina e bishta cigaresh hedhur përtoke, kazanë të zgjyrosur plehërash, zarzavate të kalbura anësh trotuarëve, klithma shoferësh të furgonëve, sharje të halabakëve, bilbilin e policit në kryqëzim, zhurmën e përplasjes së makinave, fjalët e turpshme të adoleshentëve që bëjne të skuqen kalimtarët. Syri yt nuk i sheh këto!? Në fakt... syri yt i sheh, por ty të parapëlqen të shohësh shumë më herët ne kohë. Në kohën kur përgatitej dekori me katër stinët e vitit për tu luajtur drama e Qenies. Dëshiron te na sjellësh ndër mend kohën qe thirret “para krijimit të Qenies”. Kohën kur Qenia ende nuk kishte rënë, kur ende nuk ishte prishur, kur ende nuk ishte përjashtuar nga Kopshti i Dritës. Ti Pashk, një kopësht plot dritë tenton të rizbulosh, prandaj peizazhet e tua janë mbingopur me transparencë dhe pa virus sëmundjeje në to. Shpendët, peshqit dhe bagëtia janë aty. Nuk mungojnë, por bredhin pa e trazuar dekorin që ti krijon, e unë nuk dua ende ti shoh, sepse edhe ti nuk do ti shohësh si fillim. Ti po ndërton konak për mirëseardhjen e tyre e më pas ta popullosh ngeshëm. Njerëzit gëzojnë tek shohin peisazhet e tua, sepse shkunden pak nga skleroza dhe ti i bën ata të kujtojnë, se një botë e tille plot dritë është brenda tyre por nuk e shohin. Nuk i fut brenda skenës tënde, por i lë jashtë si spektatorë që të meditojnë sadopak për të bukurën e paprishur ende. Prandaj peizazhet e tua janë si antidot që hyn drejt e në shpirtin e tyre për të tretur mërzitin, ankthin, trishtimin e brutalitetin. Kështu e tregonte botën dhe Mio vite më pare. Pashk, ti je pagan! Krijuesin e do sepse e sheh atë kudo... tek një pemë, tek një gur, tek një gjethe vjeshtore, tek një mal që mezi duket tej, tek një shtëpizë në mesfushë... me pak fjale e sheh atë gjithkund si paganët e mëdhenj. E do Krijuesin nëpërmjet veprës, sikurse edhe ti ke dëshirën që të të duan si krijues nëpërmjet veprës.

Ekspozita personale ndër vite

1983
Galeria e Artit, Lezhë
1984
Galeria e Artit, Lezhë
1986
Galeria e Artit, Lezhë
1989
Galeria e Akademisë se Arteve, Tiranë
1991
Galeria e Artit, Lezhe
1992
Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë
1993
Art Gallery Milano, Itali
1994
Galeria e Artit, Lezhë
1995
Galeria e Artit, Lezhë
Qendra Kulturore "Ataturk", Stamboll, Turqi
1996
Pallati i Kulturës, Laç
1997
Misioni Paqeruajtës Spanjoll, Shëngjin
1998
Galeria TE&GI, Tirane
Muzeu Municipal, Ceuta, Spanjë
1999
Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë
Misioni Paqeruajtës Spanjoll, Durrës
2002
Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë
2005
Galeria Kombëtarë e Arteve, Tiranë
Molo Vanviletano, Ancona, Itali
2006
Galeria "Rozafa", Shkodër
"Oficina della memoria", Fiuggi, Rome
"Guzini" Gallery Recanati, Ancona
2007
Art Gallery “Jozef”, Durrës
Art Galeri "KLEDIO", Tiranë
Galeria “Rozafa”, Shkodër
2008
Pallati i Kulturës Mirditë
Art Gallery “Jozef”, Durrës
2009
Galeria e Arteve “Guri Madhi”, Korçë
2010
Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë
Galeria e Ministrisë së Kulturës, Kosovë

10 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›