E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendrat shëndetësore, ndryshojnë procedurat e punësimit të mjekëve



Jonida Tashi

Ndryshojnë procedurat e punësimit dhe të largimit nga puna për personelin mjekësor të qendrave shëndetësore në të gjithë vendin. Tashmë mjekët e qendrave shëndetësore nuk do të emërohen ose të pushohen nga puna nga drejtori i qendrës, por nga bordi i qendrës shëndetësore në nivel drejtorie. Ndërsa stafi ndihmës i personelit mjekësor do të vazhdojë të emërohet ose të pushohet nga puna, nga drejtori i qendrës shëndetësore.
Vendimi
Ditën e djeshme, qeveria, në mbledhjen e saj të radhës, ka bërë disa ndryshime në vendimin nr.857, datë 20.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar. Sipas këtyre ndryshimeve, personeli mjekësor i qendrës shëndetësore, lirohet nga detyra nga bordi i qendrave shëndetësore në nivel Drejtorie të Shëndetit Publik (DSHP)/ASHR), sipas procedurave të rekrutimit, të përcaktuara nga ministri i Shëndetësisë. Drejtori i qendrës shëndetësore përgatit dosjen e dokumenteve të kandidatëve që konkurrojnë për punësim dhe ia paraqet bordit. Ndërsa sipas ligjit ende në fuqi, marrja në punë dhe lirimi nga puna e personelit bëhet nga drejtori i qendrës shëndetësore, në zbatim të normave të ngarkesës, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë dhe rregullave të përcaktuara në statut.
Bordet
Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka ngarkuar Ministrinë e Shëndetësisë, që, në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor, të ngrejë bordin e qendrave shëndetësore në nivel DSHP/ASHR, 30 ditë pas hyrjes në fuqi të projektvendimit të ri. Ndryshe nga më parë, ku pjesë e këtij procesi ka qenë edhe Instituti i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, tashmë bordet do të ngrihen drejtpërsëdrejti nga Ministria e Shëndetësisë dhe organet e pushtetit vendor. Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, bordi i qendrave shëndetësore zhvillon procedurën e konkurrimit dhe, pas shpalljes së fituesit, autorizon drejtorin e qendrës shëndetësore të lidhë kontratë me fituesin, sipas Kodit të Punës. Personeli ndihmës i qendrës shëndetësore emërohet nga drejtori i qendrës shëndetësore, sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Punës dhe normave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë. Ankimi kundër vendimit të drejtorit të qendrës shëndetësore bëhet, brenda 10 ditëve, në bordin e qendrave shëndetësore. Vendimi i Bordit të Qendrave Shëndetësore është përfundimtar. Ankimi kundër vendimit të bordit bëhet brenda 30 ditëve, në gjykatën e shkallës së parë.

Ndryshimet që janë bërë në ligj
Neni 4
Ishte: ministri i Shëndetësisë, brenda datës 10 tetor 2007, miraton statutin tip të qendrave shëndetësore.
Bëhet: ministri i Shëndetësisë miraton statutin tip të qendrës shëndetësore.
Neni 11
Ishte: Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH-ja, që, në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore, brenda datës 30 mars 2007, të ngrenë bordet e qendrave shëndetësore.
Bëhet: Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë, që, në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor, të ngrejë bordin e qendrave shëndetësore në nivel DSHP/ASHR, 30 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij projektvendimi.
Neni 23
Ishte: Për çdo njësi të qeverisjes vendore, respektivisht bashki/minibashki a komunë, ngrihet dhe funksionon bordi i qendrës shëndetësore (BQSH), i cili e ushtron veprimtarinë në territorin e kësaj njësie. Ky bord ka në përbërje drejtorin e shëndetit publik/autoritetin shëndetësor rajonal ose përfaqësuesin e caktuar prej tij, drejtorin e drejtorisë rajonale të sigurimeve të kujdesit shëndetësor ose përfaqësuesin e caktuar prej tij dhe përfaqësuesin e njësisë së qeverisjes vendore, në territorin e së cilës ushtron veprimtarinë qendra shëndetësore. Bordi mblidhet jo më shumë se 4 herë në vit. Bordi mund të mblidhet edhe jashtë radhe, për raste të veçanta. Detyrat e bordit të qendrës shëndetësore janë: organizimi i konkurrimit për përzgjedhjen e drejtorit të qendrës; emërimi dhe shkarkimi i drejtorit; shqyrtimi i ankesave për emërimin e drejtorit dhe për shërbimin që ofron kjo qendër; miratimi i procedurës së punësimit dhe të largimit të personelit; miratimi i donacioneve, që jepen për qendrën.
Bëhet: Në nivel DSHP/ASHR, për Tiranën, ngrihet dhe funksionon bordi i qendrave shëndetësore. Ky bord ka në përbërje të tij drejtorin e DSHP/ASHR, përfaqësuesin e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe përfaqësuesin e qarkut, në territorin e të cilit ushtron veprimtarinë DSHP. Kryetari i bordit të qendrave shëndetësore në çdo DSHP/ASHR, është drejtori i DSHP/ASHR. Bordi mblidhet jo më pak se 4 herë në vit. Bordi mund të mblidhet edhe jashtë radhe për raste të veçanta. Detyrat e bordit të qendrave shëndetësore dhe mënyrat e thirrjes së tij, përcaktohen në rregulloren e funksionimit të bordit të qendrave shëndetësore, e cila miratohet nga ministri i Shëndetësisë.
Neni 24
Ishte: QSH-ja drejtohet nga drejtori i QSH-së. Drejtori i QSH-së ka këto kompetenca kryesore: përfaqëson QSH-në në marrëdhënie me DRSKSH-në, me institucione të tjera dhe me të tretë; drejton aktivitetin e dhënies së shërbimit shëndetësor parësor nga personeli i QSH-së; drejton dhe mban përgjegjësi për zbatimin e buxhetit të kontraktuar të QSH-së; drejton dhe mban përgjegjësi për mbledhjen dhe përdorimin e të ardhurave të tjera; gëzon të drejtën e firmës si përfaqësues i QSH-së; drejtori i qendrës shëndetësore punëson dhe shkarkon personelin e kësaj qendre. Bordi i qendrës shëndetësore kontrollon procedurën e punësimit dhe të shkarkimit të personelit dhe autorizon drejtorin e kësaj qendre për lidhjen e kontratës së punës, në përputhje me nenin 12 të Kodit të Punës.
Bëhet: shfuqizohet.
Neni 25
Ishte: Drejtori i QSH-së emërohet dhe lirohet nga bordi i QSH-së, në bazë të kritereve për emërimin e drejtorit të QSH-së të miratuara nga Ministri i Shëndetësisë. ISKSH-ja ka të drejtë që kur konstaton keqmenaxhim të QSH-ve, bazuar në prova të shkruara, t’i kërkojë BQSH-së shkarkimin e drejtorit.
Bëhet: Drejtori i qendrës shëndetësore emërohet dhe lirohet nga Bordi i Qendrave Shëndetësore në nivel Drejtorie të Shëndetit Publik (DSHP)/Autoriteti Shëndetësor Rajonal për Tiranën (ASHR). Detyrat e drejtorit të qendrës shëndetësore përcaktohen në statutin e qendrës shëndetësore, i cili miratohet nga ministri i Shëndetësisë. ISKSH-ja ka të drejtë që, kur konstaton keqmenaxhim të qendrës shëndetësore, bazuar në prova të shkruara, t’i kërkojë Bordit të Qendrave Shëndetësore shkarkimin e drejtorit.
Neni 26
Ishte: Personeli i QSH-së përbëhet nga stafi mjekësor dhe ai ndihmës. Marrja në punë dhe lirimi nga puna e personelit bëhet nga drejtori, në zbatim të normave të ngarkesës, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë dhe rregullave të përcaktuara në statut. Marrëdhëniet e punës së personelit të QSH-së rregullohen në bazë të Kodit të Punës dhe kontratave individuale të punës.
Bëhet: Personeli i qendrës shëndetësore përbëhet nga stafi mjekësor dhe ai ndihmës. Personeli mjekësor emërohet dhe lirohet nga detyra nga Bordi i Qendrave Shëndetësore në nivel Drejtorie të Shëndetit Publik (DSHP)/ASHR), sipas procedurave të rekrutimit, të përcaktuara nga ministri i Shëndetësisë. Drejtori i qendrës shëndetësore përgatit dosjen e dokumenteve të kandidatëve që konkurrojnë për punësim dhe ia paraqet bordit. Bordi i Qendrave Shëndetësore zhvillon procedurën e konkurrimit dhe, pas shpalljes së fituesit, autorizon drejtorin e qendrës shëndetësore të lidhë kontratë me fituesin, sipas Kodit të Punës. Personeli ndihmës i qendrës shëndetësore emërohet nga drejtori i qendrës shëndetësore, sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Punës dhe normave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë. Ankimi kundër vendimit të drejtorit të qendrës shëndetësore bëhet, brenda 10 ditëve, në Bordin e Qendrave Shëndetësore. Vendimi i Bordit të Qendrave Shëndetësore është përfundimtar. Ankimi kundër vendimit të bordit bëhet brenda 30 ditëve, në gjykatën e shkallës së parë.

Akademia e Arteve
Hiqet kriteri i gradës “Doktor” për titujt “Profesor i Asociuar” dhe “Profesor”

Hiqet kriteri i gradës “Doktor” për marrjen e titujve “Profesor i Asociuar.” dhe “Profesor” për pedagogët e Akademisë së Arteve. Qeveria ka përcaktuar dje kritere dhe procedura te reja për kualifikimin shkencor dhe pedagogjik për personelin akademik të Akademisë së Arteve. Në mbledhjen e saj të djeshme, qeveria, ka miratuar disa shtesa në vendimin nr.467, datë 18.7. 2007, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për kualifikimin, shkencor e pedagogjik, të personelit akademik”, të ndryshuar. Shtesat në vendimin e sipërcituar kanë të bëjnë me kriteret për dhënien e titullit “Prof.Asoc.” dhe atij “Profesor”. Sipas vendimit të qeverisë, për personelin akademik të Akademisë së Arteve, krijues apo interpretues aktivë (kompozitorë, instrumentistë, këngëtarë, dirigjentë, aktorë, regjisorë, krijues të arteve pamore, skenografë, koreografë, balerinë), për marrjen e titullit “Prof. Asoc.”, kriteri për gradën shkencore “Doktor”, nuk përbën detyrim. E njëjta gjë do të vlejë edhe për marrjen e titullit “Profesor”. Qeveria ka vendosur që, për personelin akademik të Akademisë së Arteve, krijues apo interpretues aktivë (kompozitorë, instrumentistë, këngëtarë, dirigjentë aktorë, regjisorë, krijues të arteve pamore, skenografë, koreografë, balerinë), për marrjen e titullit “Prof.”, kriteri për gradën shkencore “Doktor”, nuk përbën detyrim.

10 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›