Korrupsioni në Kosovë, Thaçi: “Qeveria, e hapur të ballafaqohet”
Paralajmërimi për arrestime të zyrtarëve të lartë për korrupsion ka sjellë reagimin e kreut të qeverisë kosovare, Hashim Thaçi. Në një fjalim drejtuar popullit të Kosovës ai ka deklaruar se qeveria e tij do të ballafaqohet drejtpërdrejt me korrupsionin.
Në të vërtetë, fjalimi i tij tingëlloi si një mesazh drejtuar ndërkombëtarëve dhe Thaçi premtoi se ligji do të veprojë në mënyrë të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve madje dhe udhëheqësve të tyre. “Ju nuk jeni ende plotësisht të sigurt nëse qeveria e mendon atë që thotë kur deklaron se do të ballafaqohet drejtpërdrejt me korrupsionin dhe do ta çrrënjosë atë nga sistemi. Më vjen keq që nuk ia kemi arritur që t’iu bëjmë të ndiheni më të sigurt, por ju siguroj se ne do të punojmë maksimalisht që të mos e tolerojmë korrupsionin ashtu siç nuk e toleroni ju. Institucionet e Kosovës do të jenë në vijën e parë në luftën kundër korrupsionit. Nëse dyshimet aktuale do të dëshmojnë se janë bërë keqpërdorime në do të ndërmarrim masa të menjëhershme ndaj atyre që gjenden fajtorë. Kjo është ajo që ju prisni nga ne dhe që ne kërkojmë nga vetvetja”, thuhet në fjalën e kreut të qeverisë së Kosovës drejtuar popullit kosovar. Duke vënë theksin tek drejtësia e barabartë për të gjithë, Thaçi premtoi përgjegjshmëri të barabartë para drejtësisë, madje edhe të udhëheqësve, siç u shpreh ai. Në fund kryeministri kosovar, pasi radhiti sfidat si ajo e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që e pret Kosovën, apo vështirësitë në të cilat e vendos një fqinj që po përpiqet të minojë pavarësinë e saj çdo ditë, kërkoi ndihmën e popullit të Kosovës.
10 Qershor 2010