E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Dekorohet Sejdiu, Lidership Global i Dalluar

Arizona - Arizona State University (ASU) promovoi për herë të parë ndarjen e Çmimit “Distinguished Global Leadership” (Lidership Global i Dalluar) mbrëmë në ambientet e këtij universiteti në Phoenix, në Arizona të SHBA-së, duke e dhënë këtë çmim për Presidentin e Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu. Në një ambient solemn, ku ishin të pranishëm udhëheqës të këtij universiteti, profesorë, studentë, si dhe shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këtë vend, në emër të Universitetit, çmimin e ndau z. Anthony “Bud” Rock, zëvendëspresident i Arizona State University (ASU).

Në arsyetimin për ndarjen e këtij çmimi të lartë për Presidentin Sejdiu, Anthony “Bud” Rock, theksoi se ndarja e këtij çmimi vlerëson punën shquar të Presidentit Sejdiu si lider që ka ndihmuar në mirëkuptimin ndërkombëtar dhe ndërkulturor, nëpërmjet kontributeve të tij profesionale dhe që ka demonstruar lidership dhe të arritura të mëdha në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

Ndërsa, Steve Batalden, profesor i Departamentit të Historisë dhe drejtor i Qendrës Melikian në ASU, duke folur lidhur me personalitetin e Presidentit Sejdiu, ndër të tjera theksoi se Presidenti Sejdiu u dëshmua si një lider i fuqishëm, veçmas për qasjen në procesin e shtetformimit të Kosovës.

Në një fjalë mbajtur me këtë rast, Presidenti Sejdiu ka falënderuar SHBA-të për ndihmën që kanë dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për ndërtimin, zhvillimin e përkrahjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›