E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Europa të bashkohet, ta njohë në bllok shtetin e ri

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit ka kërkuar dje që edhe 5 shtetet e mbetura të BE ta njohin pavarësinë e Kosovës, si e vetmja rrugë për të ecur në bllok drejt të ardhmes së përbashkët. Sekretarja Klinton i bën thirrje Serbisë të heqë dorë nga praktikat obstruksioniste ndaj shtetit të ri

Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu mbështetjen e tij për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë dhe i bëri thirrje Evropës të unifikojë qëndrimin e saj.
Në reagimet e para amerikane pas opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në të cilin vlerësohet se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, konfirmohet edhe një herë mbështetja amerikane për Kosovën. Serbia dhe Kosova duhet t’i mënjanojnë dallimet tash, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka gjetur se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, ka deklaruar sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

DASH
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Philip J. Crawley tha se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ripohon me forcë se deklarata e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme.
“Ky është një vendim që Shtetet e Bashkuara e mbështesin, tha ai duke shtuar se tani ka ardhur koha që Evropa të bashkohet rreth një të ardhmeje të përbashkët”.
Shtetet e Bashkuara duke e mirëpritur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e cilësoi të rregullt Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës dhe ka kërkuar nga vendet evropiane që të “bashkohen” me këtë vendim.
“Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë fuqishëm thekson se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është legale, dhe këtë ne e mbështesim”, tha Philip J. Crawley.
“Tash është koha që Evropa të bashkohet ndaj të ardhmes së përbashkët”, tha Crawley.
Pak para vendimit të GJND-së, zëvendëspresidenti amerikan, Xho Baiden, i telefonoi Presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, dhe i ka riafirmuar mbështetjen e plotë për Kosovën demokratike dhe multi-etnike, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Në bisedë, para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, zoti Baiden ka theksuar përsëri përkushtimin e pandryshuar të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe ka kërkuar që Qeveria e Serbisë të punojë në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e çështjeve praktike me Kosovën.

Hillary Clinton
Pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ka reaguar edhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton. Serbia dhe Kosova duhet t’i mënjanojnë tani dallimet, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka gjetur se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, deklaruar Sekretarja Amerikane e Shtetit. “Ne ftojmë të gjitha vendet që të lëvizin përtej çështjes së statusit të Kosovës dhe të angazhohen në frymë konstruktive, në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Ne u bëjmë thirrje shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një hap të tillë”, ka thënë Clinton.
“Serbia dhe Kosova janë miq dhe partnerë të Shteteve të Bashkuara. Tash është koha që ato t’i lënë anash dallimet dhe të lëvizin përpara, duke punuar së bashku në zgjidhjen e çështjeve praktike dhe duke përmirësuar jetën e njerëzve në Kosovë, Serbi dhe rajon”, ka deklaruar Clinton.
“Kjo është rruga drejt së ardhmes së tyre si pjesë të Evropës, si pjesë të tërësishme, të lira dhe në paqe. Në i mirëpresim përpjekjet e BE-së për t’i ndihmuar të dyja vendet në realizimin e synimeve evropiane”, ka thënë sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›