E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk do të ketë krisje të koalicionit, sepse kjo është qeveria e integrimit”

Ilir Meta zhvlerëson zhurmën për “çarje” të koalicionit

"Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë lloj krisje të koalicionit sepse kjo qeveri është pagëzuar si e integrimit me qëllim forcimin e perspektivës europian dhe euroatlantik të Shqipërisë", deklaroi dje zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta.
I ftuar në një emision televiziv, zëvendëskryeministri dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta theksoi se "në qëndrimet tona nuk dalim kundër dikujt, por thjesht kemi mendimet dhe qëndrimet tona".
Duke iu referuar çështjes për projektligjin të SHISH, Meta e cilësoi si të domosdoshëm rishikimin e tij. "është i nevojshëm rishikimi i këtij ligji pasi është i vjetër dhe duhet të respektojë dhe përshtatet më mirë edhe në raport me Kushtetutën dhe zhvillimet sepse tashmë Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe do të bëhet një vend anëtare e BE-së".
Sipas tij, rishikimet e ligjit për SHISH duhet të behën në konsultim të ngushtë me NATO duke e argumentuar qëndrimin e tij me faktin se "një prioritet madhor i NATO-s dhe i Shqipërisë është lufta kundër terrorizmit ku bashkëpunimi në fushën e shërbimeve inteligjente është një prioritet shumë i rëndësishëm dhe shumë sensibël".
Kreu i LSI-së nënvizoi se "përcaktimi i një mandati dhe për drejtuesin e SHISH është një vlerësim demokratik dhe jo e kundërta".
Në lidhje me vendimin e GJND-së për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, kreu i diplomacisë shqiptare deklaroi se "ky vendim rrëzoi të gjitha pretendimet e serbëve dhe legjitimiteti i Kosovës është i qartë".
Ai nënvizoi se marrëdhëniet e reja të bashkëpunimit Shqipëri-Serbi kanë ndikuar për të ç’tensionuar marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan".
"Shqiptarët dhe serbët janë janë dy kombe që kanë rol të madh për të ardhmen e këtij rajoni dhe për të përshpejtuar integrimin në BE këtë e bëjnë vetëm duke bashkëpunuar," tha Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›