SHBA, FBI operacione antiterroriste në New York
Policia e New York-ut dhe FBI-ja kanë ndërmarrë një operacion të imtësishëm duke bastisur disa shtëpi në lagjen Quins të hënën, në kuadër të mësymjeve anti terrorizëm. Operacioni konsiston në zbulimin apo gjurmimin e personave të dyshuar si të lidhur me rrjetin terrorist të Al Kaeda-s. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarët e zonës dhe forcat policore. Departamenti i policisë së New York-ut dhe FBI-ja, kanë dhënë pak detaje për operacionin duke thënë se bëhet fjalë për një proces hetimi në vazhdimësi, nga grup i posaçëm anti terrorizmi, por ndërkaq anëtarë të Kongresit Amerikan që u njoftuan nga Byroja Federale e Hetimeve, thanë se nuk kishte asnjë rrezik të pashmangshëm. Ligjvënësi nga New York-u, Peter King tha se në informacionin e FBI-së thuhet se bastisjet u kryen pasi një person që vëzhgohej për lidhje të dyshimta me Al-Kaidën kishte vizituar një grup njerëzish në qytetin e New York-ut. Senatori i New York-ut, Çarls Shumer tha se sipas informacionit të FBI-së, bastisjet ishin veprime parandaluese dhe nuk ekzistonte ndonjë rrezik i menjëhershëm. Ndërkaq banorët e zonës në afërsi të shtëpive ku u kryen bastisjet, e përshkruan bastisjen si një operacion të armatosur rëndë , gjatë të cilit agjentët e FBi-së mbërritën pa lajmëruar me automjete të rënda dhe rrethuan zonën në oërt e para të mëngjesit. Sipas "New York Times", e cila citon një zyrtar të lartë , autoritetet kanë zbuluar një grup të vogël i cili përkrah ideologjinë militante të lidhur me Al Kaeda-n. Qyteti i New York-ut është në gjendje alarmi që pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.