SHBA, Forcohen kontrollet në aeroporte
Njoftimi bëhet dhjetë ditë pas një tentative të një shtetasi nigerian për të hedhur në erë një avion amerikan. Sipas rregullave të reja, personeli i sigurisë do të bëjë kontroll të plotë trupor të udhëtarëve nga një listë vendesh që konsiderohen me rrezikshmëri në fushën e sigurisisë, si Irani, Jemeni, Nigeria dhe Pakistani. Edhe pasagjerët nga vendet e tjera do të kontrollohen në mënyrë të rastësishme. Këto masa janë kritikuar nga grupet që mbrojnë të drejtat e njeriut. Drejtori i organizatës 'Privacy International', Simon Daves, i tha BBC-së se nuk kishte ndonjë garanci se këto masa do të jepnin rezultat. "Këto pajisje (që do të vendosen në aeroporte) nuk mund të tregojnë se çfarë objekti fshihet nën rroba apo midis rrobave. Ato vetem mund të zbulojnë se diçka nuk shkon. Këto aparatura kanë një vlerë jashtëzakonisht të kufizuar", tha zoti Davies.Të dielën fluturimet në aeroportin Newark u vonuan për disa orë kur një pasagjer nuk kaloi përmes pajisjes së kontrollit, duke shkaktuar një alarm për personelin e sigurisë.