E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: “Izolimi i ndihmon shqiptarët të jenë të bashkuar”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Londër, 24 gusht 1973 – Ekzaktësisht përtej kanalit të Korfuzit, ndodhen një duzinë me vajza të armatosura me karabina vendosur në rresht për të parakaluar në fushën e ndotur të futbollit të fermës shtetërore. Gjysmë ore më vonë, me shallet e tyre të lidhura rreth kokës për shkak të të nxehtit dhe të veshura me tumane (pantallona të varura, pjesë e kulturës myslimane që janë ende shumë të përhapura në shumicën e fshatrave të Shqipërisë) na kaluan sërish duke shkuar në krye të detyrës afër kufirit me Greqinë. Në skena të panumërta si kjo dhe me egërsinë e pandalshme të kësaj propagande, Shqipëria sillet dhe ndihet ende si një shtet nën rrethim. Ky vend i vogël dhe me një bukuri spektakolare ishte i vetmi vend që refuzoi të merrte pjesë në Konferencën Evropiane të Sigurisë, që u mbajt në Helsinki muajin e kaluar. Udhëheqësit e saj janë duke luftuar në një luftë me shumë fronte: Kundër asaj që ata e shohin si strategjia e re e dy superfuqive për ruajtjen e sferës së influencës në Evropë nën maskimin e uljes së tensionit; Kundër kërcënimit të vazhdueshëm nga fqinjët e tyre më të mëdhenj si Jugosllavia, Italia dhe Greqia;
Kundër trashëgimisë së qëndrueshme të shekujve në prapambetje dhe kundër rritjes së ndikimi të individualizmit perëndimor, i cili shihet si kërcënimi kryesor ndaj përpjekjes së Shqipërisë për të ndërtuar socializmin. Duke ndërprerë lidhjet me vendet e dyshimta dhe me vendet e tjera evropiane, Shqipëria pranon ata pak vizitorë që vijnë në grup me viza turisti çdo vit. Shumë pak hotele të reja janë ndërtuar në qytetet kryesore të vendit. Në kufi, shqiptarët të rregullojnë mjekrën, të shkurtojnë flokët, të marrin shumicën e materialeve që ke me vete për të lexuar, të kërkojnë ti ndërrosh pantallonat e tua me shkëlqim apo minifundet dhe fustanet deri në fund të këmbëve dhe ti zëvendësosh me diçka më të hijshme. Pasi kalon këto rreziqe, ti hyn në një vend krejtësisht të ndryshëm nga çdo shtet tjetër në Evropë. Gjatë gjithë rrugës së gjatë, ti nuk shikon asnjë semafor apo makinë personale. Kamionë kinezë, xhipe, qerre, gomarë të mbingarkuar, biçikleta dhe autobusë të rehatshëm italianë që transportojnë turistë, janë të vetmit që bëjnë trafikun në rrugët e ngushta të këtij vendi të vogël. Sheshi qendror i kryeqytetit, Tirana, është një parajsë për sa i përket ndotjes dhe detyra e disa policëve trafiku me uniforma të bardha që qëndrojnë në rrethet e trafikut në mes të rrugës, mund të quhet një punë shumë komode. Edhe në qytetet kryesore, dyqanet duken më të prapambetura në krahasim me dyqanet e ndonjë fshati të varfër në Perëndim – aty gjen disa kanoçe me qumësht të kondensuar kinez, pastërma, sardele dhe ndonjë çantë letre të vogël bojëkafe me sheqer. Dyqanet që shesin qumësht të freskët, vezë dhe gjalpë është shumë e vështirë ti gjesh, ndërsa thertoret kryesisht ofrojnë varietete sallami. Apartamentet e reja po ndërtohen kudo në vend, kryesisht të ndërtuara me punë vullnetare, nga punë e pakualifikuar dhe shumë nga fasadat e mureve të jashtme janë gropa-gropa dhe të pasuvatuara. Por kjo përshtypje fillestare e zymtë dhe varfërie janë vetëm një pjesë e tablosë. Përpara Luftës së Dytë Botërore Shqipëria ishte vendi më i prapambetur në Evropë, pa industri të vërtetë, pa hekurudhë, një pritshmëri mesatare jetese deri në 38 vjet dhe pa kushtet minimale të arsimimit. Tetë vitet e para të shkollës tani janë të detyrueshme. Mosha mesatare e jetës ka shkuar deri në 68 vjeç dhe shërbimet shëndetësore janë zgjeruar deri në fshatrat malore më të largëta. Nëse fshatrat duken ende të varfra, duhet të mbahet mend se dy të tretat e 2 milionë shqiptarëve jetojnë në fshat. Politika zyrtare ka qenë për të frenuar zhvillimin e qytetit dhe rritjen e standardeve të fshatit. Edhe në fshatra, po bëhen përpjekje të mëdha për të barazuar disnivelet mes zonave malore dhe fushave pjellore bregdetare që nisnin që nga Jugosllavia e përfundojnë deri poshtë në kufirin me Greqinë. Fshatarët nga kooperativat e vendeve të ulëta janë dërguar për të dhënë ndihmesën e tyre në zhvillimin e fermave të malësisë.

Përmirësime të mëdha

Po të udhëtosh për dy javë rresht nga veriu në jug, edhe një njeri i rastësishëm do të vërë re përmirësimet e mëdha në bujqësi. Thirrja e udhëheqësit kombëtar, Enver Hoxha, “Ta ndërtojmë socializmin duke mbajtur në njërën dorë pushkën dhe në tjetrën kazmën”, është po kaq e rëndësishme në Shqipëri sa edhe çekani dhe drapri në Bashkimin Sovjetik. Në të njëjtën fermë shtetërore të fortifikuar në Butrint, atje ku vajzat po parakalonin, burra dhe gra po zhvendosnin gurë në të dyja anët e rrugës për të ndërtuar tarraca për kultivimin e agrumeve. Në pjesë të tjera të vendit në shpatet e maleve që janë pastruar janë mbjellë vreshta dhe brezare ullinjsh. Kënetat e Butrintit, dikur burime malarie, janë tharë duke hapur një kanal përmes shkëmbinjve në Adriatik dhe janë mbjellë fusha të tëra me oriz. Kryesisht me ndihmën kineze, shqiptarët kanë ngritur një sërë sistemesh vaditjeje që thuhet se mbulojnë 54 për qind të tokës së punueshme, krahasuar me 10 për qind që ishte në vitin 1950. Duke u mbështetur në thënien e Leninit se komunizmi është fuqia sovjetike plus elektrifikimin, udhëheqja shqiptare arriti të elektrifikonte plotësisht vendin më malor në Ballkan deri në vitin 1970. Por dhe ky zhvillim së bashku me përmirësimet në kushtet shëndetësore nuk ishte i mjaftueshëm për të bindur fshatarët konservatorë që ta japin tokën e tyre me dëshirë për fermat shtetërore. Kolektivizimi i tyre përfundoi në vitin 1967 me 80 për qind me ferma kooperativiste të vetëfinancuara dhe pjesa e mbetur subvencionohej nga shteti.

Të pavarur

Shqipëria, së cilës i duhej të importonte shumicën e drithërave të saj, tashmë është bërë me të vërtetë e pavarur. Kjo ka një rëndësi shumë të madhe psikologjike, por edhe praktike gjithashtu në qëllimin e fushatës aktuale të vetëbesimit në të gjitha fushat. Në fillimet e viteve 1960 Shqipëria ishte përballë një bllokade totale ekonomike nga Bashkimi Sovjetik dhe Evropa Lindore, për shkak të përplasjeve të saj me Moskën. Ndjesia që ky vend të jep sikur është ende në luftë, buron kryesisht nga kjo eksperiencë. Duke prezantuar planin e tanishëm 5-vjeçar, kryeministri Mehmet Shehu tha se dekada e shkuar ishte “periudha më e lavdishme për partinë dhe popullin tonë, dhe për nga rëndësia vinte e dyta pas Luftës Nacionalçlirimtare”. Shqipëria i kishte mbijetuar një “rrethimi të dyfishtë nga imperialistët dhe revizionistët”. Ky vend është shumë i pasur në minerale dhe vetësiguron shumicën e lëndës djegëse dhe nevojave të energjisë dhe shumicën e lëndës së saj të parë të ndërtimit. Shqipëria importon kryesisht makineri dhe mallra konsumi, që nga letra e tualetit dhe deri tek traktorët që vijnë nga Kina. Pa dyshim që ndjenja shqiptare e izolimit i ndihmon njerëzit të jenë të bashkuar, por do të ishte shumë cinike po ta shikoje këtë si një emocion artificial të manipuluar nga partia. Në fund të Luftës së Parë Botërore, në Konferencën e Versajës, Italia, Greqia dhe Jugosllavia të gjitha shpresonin ta ndanin Shqipërinë, e cila mezi e fitoi pavarësinë e saj në vitin 1912. Në Luftën e Dytë Botërore ajo u pushtua dy herë. Presidenti Tito kishte në plan ta pushtonte atë dhe në vitet 50 dhe Bashkimi Sovjetik dha ndihmesën e tij, por ky plan dështoi. Një recepsionist hoteli, një ish-bletar dhe folës i gjuhës angleze, franceze dhe gjermane e shikon nga ky këndvështrim: “Asnjë vend nuk na ka dhënë asnjë qindarkë. Përse të presim që kjo të ndryshojë tani”?
Ky lajm është publikuar: 27/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›