“Konflikti, plan i paramenduar i Gjeorgjisë”
RudIna Hoxha
Një vit pas konfliktit të ashpër në Osetinë e Jugut, Ambasadori rus në Tiranë, z. Alexander L. Prishchepov, në një intervistë ekskluzive për të përditshmen “Panorama” tha se Gjeorgjia e kishte paramenduar një luftë të tillë, që në 2006 dhe se për këtë ka dokumente. “Ato paraqesin planin sekret për pushtimin e Tskhinvalit, kryeqytetit të Osetisë Jugore. Ky plan nxjerr në pah në mënyrë të pashmangshme se shkatërrimet masive dhe goditja e popullsisë civile ishin të paramenduara. Ndërsa për trupat paqeruajtëse ruse që ndodheshin atje sipas normave ndërkombëtare, parashikohej asgjësim. Kështu mendimet për një rastësi apo për një gabim të palës gjeorgjiane nuk i përgjigjen të vërtetës”, tha z. Prishchepov. Sipas tij, Rusia u imponua në marrjen e armëve me qëllim mbrojtjen e popullsisë së pafajshme civile dhe trupave paqeruajtës ruse që ishin aty sipas gjithë rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Duke dëshiruar një pasqyrim më objektiv të këtij konflikti nga media perëndimore, z. Prishchepov vlerëson rolin vendimtar të BE në këtë konflikt dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara pavarësisht mendimeve të ndryshme midis tyre.
Cilat janë mendimet tuaja një vit pas Luftës në Osetinë e Jugut e cila do të përkujtohet më 8 Gusht?
Luftë midis Rusisë dhe Gjeorgjisë nuk ka ekzistuar dhe nuk do të ekzistojë. Ne kemi jetuar së bashku prej më shumë se 200 vitesh. Ne nuk kemi asnjë pretendim ndaj popullit gjeorgjian apo ndonjë fobi kundrejt këtij shteti. Në Rusi jetojnë mbi 1 milionë gjeorgjianë dhe ata janë pjesë e popullit rus. Dua të sqaroj diçka që nuk është kuptuar drejt nga ngjarjet e 8 gushtit të kaluar sepse media u përpoq në atë kohë ta paraqesë Rusinë si palë në konflikt. Kjo nuk ishte një luftë ruso-gjeorgjiane, por një agresion i regjimit militarist të Tbilisit kundër popullatës së vendit të vet. Ne u imponuam për të marrë armët dhe për të rivendosur paqen. Kjo ishte e drejta për mbrojtje individuale dhe kolektive në përputhje me nenin 51 të rregullores së Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe vetëm për të shpëtuar popullatën paqësore civile dhe për të siguruar vendosjen e paqes. Ato ngjarje ishin një tronditje e fuqishme për zonën e Kaukazit dhe për mbarë botën. Për ne është mëse e drejtë të studiojmë mësimet që dolën nga kjo histori.
Cilat janë mësimet që dolën nga ky konflikt i armatosur?
Mësimi i parë që ka rëndësi për të gjithë botën është fakti që rregullimi paqësor dhe i mençur i konflikteve nuk ka alternativë tjetër. Presidenti i Gjeorgjisë, Sakashvili injoroi rëndë këtë parim dhe ndërmori kursin e zgjidhjes me dhunë të konfliktit në Osetinë e Jugut. Ne kemi dokumente që faktojnë përpjekjet e palës gjeorgjiane, që janë bërë për këtë konflikt që në 2006. Këto dokumente i janë paraqitur edhe medias dhe ndërkombëtarëve. Ato paraqesin planin sekret për pushtimin e Tskhinvalit, kryeqytetit të Osetisë Jugore. Ky plan nxjerr në pah në mënyrë të pashmangshme se shkatërrimet masive dhe goditja e popullsisë civile ishin të paramenduara. Që nga 2006, Gjeorgjia ka ndërprerë mekanizmat për bisedime. Dhe dy vjet më pas erdhi agresioni dhe kjo nuk ishte përpjekja e parë, por e treta për të sulmuar popullsinë e Osetisë së Jugut. Kështu Abhkazia dhe Osetia e Jugut kanë vetëm një rrugë për të ndjekur atë të drejtës për vendvendosje, si dhe të drejtën për krijimin e një shteti të pavarur dhe vendosja e marrëdhënieve miqësore me Gjeorgjinë. Një mësim tjetër është nevoja urgjente për nënshkrimin e një marrëveshje midis Gjeorgjisë, Abhkazisë dhe Osetisë Jugore për mospërdorimin e forcës. Rusia e ka ngritur këtë problem që para shumë kohësh. Nëse kjo do të merrej parasysh, ngjarjet e gushtit të kaluar mund të shmangeshin. Mësim tjetër është konkluzioni mbi rrezikshmërinë e militarizimit të Gjeorgjisë dhe zgjidhjes së problemeve me dhunë nga ana e saj.
Si do ta vlerësonit mënyrën se si ky konflikt u mbulua nga media?
Në jetën e sotme, media luan një rol të rëndësishëm dhe në këtë aspekt ajo duhet të japë një informacion të drejtë, të saktë dhe jo të njëanshëm. Media nuk qe në lartësinë e duhur në mbulimin e ngjarjeve të gushtit të kaluar. Mediat perëndimore janë një makinë e drejtuar mirë, shpesh në atë drejtim që i intereson asaj. Prandaj përfaqësues rusë, si rregull, nuk ftohen në kanalet perëndimore. Kështu ndodhi edhe gushtin e kaluar. Mendimet e shtypit rus nuk u pasqyruan as në media, as në revista apo televizione.
Kush ishin orientimet politike dominuese të Osetëve para luftës?
Orientimi politik i popullit oset për bashkëjetesë me popujt rusë është një synim i një periudhe më se 200 vjeçare. Është me vend të kujtojmë konceptin e historianit anglez, Harold Tolpi: Zhvillimi i qytetërimit ndodh si përgjigje ndaj sfidës që kërcënon ekzistencën e popullit. Kanosja e popullit oset ishte shkaku që e bëri këtë të fundit të bashkëjetojë me popujt e Rusisë. Ky orientim u forcua akoma më tepër pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik pasi autoritet gjeorgjiane hodhën parullën “Gjeorgjia për Gjeorgjianët” dhe eliminuan autonominë e Osetisë së Jugut. Në këto kushte, populli i Osetisë mori vendimin e vetëm që mund të siguronte mbijetesën e tij: shpalli krijimin e një shteti të pavarur. Kjo ndodhi në 1991. Trupat gjeorgjiane u dërguan drejt Tskhinvalit dhe Osetët e panë këtë si një gjenocid kundër tyre. Prandaj pas ngjarjeve të Gushtit, popullit Oset nuk i mbeti zgjidhje tjetër veç t’i drejtohej Rusisë.
Cili ishte roli i BE në krizën e Kaukazit?
Është një pyetje me rëndësi dhe me vlerë sepse roli i BE ishte kyç në ndërprerjen e konfliktit. BE, e kryesuar nga Franca në atë kohë, mori pjesë aktive në këtë çështje. Përpjekjet e përbashkëta Rusi-BE për shmangien e pasojave të aventurës së udhëheqjes së Tbilisit sollën zgjidhjen pragmatike. Pavarësisht nga vështirësitë, bashkëpunimi Rusi-BE u bë faktor stabilizues në tërë hapësirën Euro-Atlantike. Marrëveshjet midis Rusisë dhe BE të 12 gushtit dhe 8 shtatorit 2008 vendosën në shina situatën e pas krizës dhe konsoliduan rolin e BE si faktor për mospërdorimin e dhunës midis Gjeorgjisë dhe dy ish-republikave të vogla. Tani në zonat kufitare midis Abhkazisë, Gjeorgjisë dhe Osetisë së Jugut ka vetëm paqeruajtës të BE-së siç u parashikua nga marrëveshja e arritur midis Presidentëve respektiv, Dimitri Medvedev dhe Nikolas Sarkozi.
Në atë kohë, Kryeministri rus, Vladimir Putin akuzoi ShBA-në për orkestrimin e konfliktit në Gjeorgji. Ende qëndron ky mendim?
Nuk më kujtohet një shprehje e tillë e Kryeministrit Vladimir Putin. Sepse Rusia dhe Amerika janë partnerë. Akuzat e njërës palë apo tjetër kundrejt një vendi tjetër janë mbeturina të Luftës së Ftohtë dhe kjo e fundit tashmë ka marrë fund dhe ne jemi partnerë. Natyrisht kemi mendime të ndryshme por si partnerë ne bëjmë të gjitha përpjekjet që ky partneritet të mos cenohet. Fakt tjetër është që udhëheqja Amerikane u gjend e robëruar nga emocionet ndaj Sakashvilit. Mund të them me guxim se kjo udhëheqje ishte mashtruar nga të dhënat e këtij provokatori gjeorgjian.
Çfarë duhet bërë që konflikte të tilla të rrezikshme të mos kenë një shans të dytë?
Pasojat e asaj që ndodhin në Kaukaz gushtin e kaluar vënë theksin mbi ndryshimin thelbësor të sistemit të sigurimit Evropian, sepse këto ngjarje treguan paaftësinë e këtij sistemi për ta ndalur këtë konflikt në kohë. Këto ngjarje vërtetuan edhe njëherë nevojën për mekanizma të rinj më të aftë në mënjanimin e konflikteve. Prandaj Rusia është e predispozuar në këtë kuadër të punojë për paktin e ri të sigurisë, të propozuar nga Presidenti Dimitri Medvedev. Lidhur me këtë, Rusia i ka paraqitur propozimet e veta dhe shpreson që ato të tërheqin vëmendjen e partnerëve evropianë. Sa i takon Rusisë, ne s’mund të qëndrojmë indiferentë ndaj Kaukazit sepse ngjarjet atje janë çështje të sigurimit tonë strategjik. Nga ana tjetër, se s’mund të heqim përgjegjësinë tonë në shmangien e padrejtësive që i bëhen popujve të vegjël.