Legalizimi i parave jashtë bankave, ja tarifat
Pasi Ministria e Financave ka nxjerrë udhëzimet përkatëse për amnistinë fiskale, bankat në vendin tonë do të përballen me fluks depozitash të reja. Pasi ligji i ri për amnistinë fiskale ka parashikuar legalizimin e kursimeve të padeklaruara të qytetarëve në bankave, të cilat nuk kanë justifikim ligjor. Sipas udhëzimit, të Ministrisë së Financave, nëse me datën 15 shtator 2011, një individ ka hapur një llogari bankare në një bankë në shumën prej 1,000,000 lekë, për legalizim, në bazë të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011. Për efekt legalizimi, banka ka mbajtur si tatim në burim 3% të shumës, pra 30,000 lekë. Sipas këtij shembulli, në rast se, në datën 20 qershor 2012, ky individ paraqitet pranë bankës ku ka llogarinë bankare, për të bërë transferim në një llogari bankare në Itali, të shumës prej 500,000 lekësh, në këtë rast për të proceduar me transferimin, banka i mban 13% të shumës që kërkohet të transferohet, pra 65,000 lekë. Në rast se, shuma në të holla e legalizuar do të përdoret nga personi fizik tregtar për të bërë blerje jashtë vendit, atëherë personi fizik tregtar për të bërë urdhër-pagesën ndaj furnitorit të huaj, duhet të depozitojë pranë bankës kopje të deklaratës doganore të importit dhe kopje të noterizuara të kontratës me kompaninë nga jashtë shtetit ose faturës ku janë blerë mallrat e importuara. Në zbatim të neneve 9 dhe 10 të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor, çdo shtetas mund të legalizojnë shuma në të holla, sipas një procedure të posaçme. Kështu individi, personi fizik tregtar apo përfaqësuesi i tij, plotëson në dy kopje formularin e aplikimit për depozitim shumash në të holla, në një numër llogarie bankare, të hapur prej tyre për këtë qëllim. Formulari i aplikimit me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, vihet në dispozicion të aplikuesit nga të gjitha bankat e licencuara nga Banka e Shqipërisë. Aplikuesi i paraqet punonjësit të bankës dokumentin e identifikimit, së bashku me formularin e aplikimit të plotësuar, duke i bashkëlidhur edhe fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit. Në rast se legalizimi kryhet nga përfaqësuesi i posaçëm, ky i fundit paraqitet pranë bankës me dokumentin e tij të identifikimit dhe i bashkëlidh formularit të aplikimit të plotësuar fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identitetit së bashku me fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identitetit të aplikantit, si dhe prokurën e përfaqësimit. Punonjësi i bankës, në prani të personit që bën aplikimin, (individit apo personit fizik tregtar apo përfaqësuesit të tij), kontrollon të dhënat e paraqitura në formularin e aplikimit, në përputhje me dokumentet e identitetit të aplikantit ose përfaqësuesit e tij. Vetëm në rastet kur të dhënat në formular nuk korrespondojnë me ato të dokumentit të identitetit, ose nuk realizohet identifikimi i klientit, në zbatim të ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe rregullores së Bankës së Shqipërisë “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, punonjësi i bankës refuzon kërkesën për legalizimin e shumave në të holla. Nëse ka mospërputhje ndërmjet të dhënave në formularin e aplikimit me dokumentet e identitetit, punonjësi i bankës është i detyruar të informojë aplikuesin ose përfaqësuesin e tij për problemin e identifikuar dhe të ofrojë mundësi për korrigjim. Banka, në bazë të rregullores së saj, harton një format që duhet të plotësohet nga punonjësi i bankës, ku të përcaktohet shuma e legalizuar, kursi i këmbimit kur nevojitet, dhe llogaritja e 3%-it të shumës, së bashku me numrin e llogarisë ku do të bëhet derdhja e saj.