E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA-Kine Klinton kritika per te drejtat e njeriut dhe politiken e juanit

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe të Kinës përfundojnë në Uashington, bisedimet dyditore të nivelit të lartë, të fokusuara në çështje ekonomike. Në ditën e parë të këtij takimi vjetor, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton,  kërkoi nga Kina, më tepër angazhim për përmirësimin e të drejtave të njeriut.

“Ne shohim raporte për njerëzit, përfshirë avokatë publikë, shkrimtarë, artistë dhe të tjerë, që janë burgosur ose zhdukur. Ne e dimë se gjatë një harku të gjatë të historisë, shoqëritë që punojnë drejtë respektimit të drejtave të njeriut, do të jenë më tepër stabile dhe më  të suksesshme”, -është shprehur Hilari Klinton, ndërsa zyrtarët amerikanë përsëri i kanë bërë presion Kinës që të lejojë vlerësimin e monedhës juan.

Kjo do t’i bënte prodhimet e Shteteve të Bashkuara më të lira në Kinë, ndërsa prodhimet kineze më të shtrenjta në Shtetet e Bashkuara.  Zëvendës kryeministri i Kinës, Uang Çishan, ka theksuar se do të duhej kohë për të korrigjuar balancimin ekonomik, siç është sufiçiti tregtar kinez në rritje dhe deficitet korresponduese në Shtetet e Bashkuara.

Palët janë  shprehur se kanë shumë më tepër gjëra për të fituar nga bashkëpunimi, se sa nga konflikti, e u angazhuan të përmirësojnë marrëdhëniet mes dy fuqive më të mëdha të ekonomisë botërore.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›