E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA/ Kongresi do të hetojë shkeljen nga CIA

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin thotë se do të hetojë nëse CIA shkeli ligjin duke mos informuar Kongresin për një plan për dislokimin e skuadrave për vrasjen e të dyshuarve si terroristë të al-Kaidës. CIA është e detyruar me ligj që të informojë komisione të ndryshme si në Senat, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve për të gjitha veprimtaritë e rëndësishme të saj. Kreu i republikanëve në Komisionin e Zbulimit ka akuzuar demokratët se donin ta përdornin hetimin, që ka mundësi të përfshijë një hetim të rolit të ish-nën Presidentit Dik Çeni, për qëllime politike. Me anë të një deklarate, kreu i komisionit të zbulimit Silvestër Reis, një demokrat nga Teksasi tha se hetimi do të ketë si synim të zbulojë nëse komisionet e zbulimit të Kongresit ishin informuar plotësisht dhe në kohë sipas ligjit në disa raportime të CIA-s në Kongres.
Zoti Reis tha se kjo do të përfshijë një raportim të kreut të CIA-s Leon Paneta para komisionit për zbulimin më 24 qershor, ku ai foli për ekzistencën e një programi që ishte mbajtur sekret, i autorizuar gjatë kohës së administratës së Presidentit Bush, por i anulluar nga zoti Paneta pasi ai kishte mësuar për ekzistencën e tij.
Pas raportimit, demokratët në komision bënë publike një letër që ata i dërguan zotit Paneta duke i kërkuar që të korrigjonte një deklaratë që kishte bërë më parë pas debatit që u hap në maj lidhur me pohimin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi se CIA e kishte keqinformuar Kongresin për përdorimin e metodave të ashpra të marrjes në pyetje të të ndaluarve. Njoftime shtypi që citojnë burime të ndryshme të paidentifikuara zbulimi dhe burime të tjera e kanë përshkruar programin sekret si një përpjekje për të vrarë udhëheqës të lartë të organizatës terroriste al-Kaida.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›