SHBA, Kongresi "ok" reformës për sistemin shëndetësor
Vendimi historik i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që për herë të parë pas disa dhjetëra vjetësh deputetët amerikanë, i kanë thënë po reformës aq të diskutuar të sistemit shëndetësor. Kongresi, në një seancë të veçantë votoi në favor të reformës aq shumë të dëshiruar nga Presidenti Obama dhe administrata e tij. Reforma arriti të kalonte, pavarësisht kundërshtimit të pothuajse gjithë deputetëve republikanë, përveç njërit dhe një numri të caktuar deputetësh demokratë të moderuar me 220 vota pro dhe 215 kundër. Por, megjithatë, rruga për miratimin përfundimtar të tij është ende e gjatë. Derisa reforma të bëhet ligj do të duhet të marrë edhe miratimin e senatit, ku mazhoranca demokratike nuk është solide. Në të njëjtën kohë, "po"-ja e dhënë nga Dhoma e Përfaqësuesve për këtë reformë përbën një fitore politike me rëndësi të jashtëzakonshme për Presidentin Barak Obama. Vetë Presidenti amerikan disa herë i ishte drejtuar Kongresit për të bindur deputetët që të votonin pro saj. Menjëherë pas miratimit me 220 vota në favor, Obama foli për një moment historik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai e përshkroi votën si historike dhe me një rëndësi të madhe për vendin. Të njëjtat fjalë ishin thënë edhe nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi: "Është një ditë historike për Amerikën. Mendimet tona shkojnë për senatorin e ndjerë Ted Kenedi, që e përcaktonte reformën shëndetësore si një detyrë madhore të papërfunduar ende në vendin tonë. Jam krenare". Për Obamën kjo përbën një nga fitoret e tij më të mëdha në politikën e brendshme. Midis shumë çështjeve të tjera, miratimi i këtij projektligji mendohet t‘u japë siguracion shëndetësor miliona qytetarëve që nuk kanë mundësi të paguajnë për të. Reforma parashikon asistencë shëndetësore për 36 milionë qytetarë amerikanë që aktualisht nuk janë të siguruar. Ndërkaq, brenda harkut kohor të dhjetë viteve ajo parashikon të garantojë sigurimin e rreth 96 për qind të popullsisë për një shumë që kap shifrën e 1200 miliardë dollarëve. Kjo reformë synon të vërë në zbatim një sërë normash kufizuese për kompanitë e sigurimit, ndryshe me ato që ofron sistemi aktual. Mes tyre përfshihen rregulla të reja, si për shembull detyrimin nga ana e punëdhënësve për sigurimin e të gjithë punëtorëve dhe pengesat nga shoqëritë e sigurimit që u mohojnë klientëve mbulimin shëndetësor. Kundërshtarët republikanë dhe demokratët konservatorë thonë se është një sistem shumë i shtrenjtë dhe i jep qeverisë shumë të drejta të ndërhyjë në shërbimin shëndetësor privat. Sipas republikanëve, ky projektligj do të rrisë koston e pagesave mujore të sigurimeve shëndetësore; do të ndërpresë shpenzimet e kujdesit shëndetësor për të moshuarit dhe do të dëmtonte bizneset e vogla, të cilat krijojnë më shumë vende të reja pune. Obama mendon se do të marrë edhe mbështetjen e Senatit dhe brenda këtij viti do të përfundojë miratimi i tij. Megjithatë, shumë janë të mendimit se nëse merr "ok" e Senatit, miratimi i tij do të vijë vetëm në janar ose shkurt të 2008-s.