E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berlini, i blinduar për festën e madhe

"Rënia e Murit të Berlinit ka qenë dita më e lumtur në historinë e popullit gjerman. Këtu ndryshoi jeta e popullit gjerman dhe e imja njëkohësisht. Mbani gjallë kujtimin e asaj dite për të konfiguruar të ardhmen tonë të përbashkët". Kështu ka deklaruar Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në mesazhin e saj drejtuar vendit në ditën e hapjes së festimeve me rastin e 20-vjetorit të rënies së murit në Berlinin e blinduar. Në fjalën e saj të përjavshme, Kancelarja Merkel ka vlerësuar rolin e aktivistëve të të drejtave të njeriut më 9 nëntor 1989. "Ata, me guximin e tyre kontribuuan për demokraci dhe liri, për të bërë të mundur hapjen e murit", tha ajo. Mungojnë vetëm pak orë nga nisja e festimeve. Hotelet janë plot, ndërsa numri i turistëve është jashtëzakonisht i madh. Nën motin e ftohtë, por me diell të vjeshtës, kryeqyteti i Gjermanisë së bashkuar, i blinduar nga një numër i madh forcash sigurie, do të presë shumë të ftuar dhe do të kryejë dhjetëra festime në rrugë për të kujtuar sot 20 vitet e rënies së Murit të Berlinit që ndante Gjermaninë, Europën dhe botën. Angela Merkel do të presë krerët e shteteve dhe qeverive të 27 vendeve të Bashkimit Europian. Mes tyre do të jenë edhe Presidenti rus Medvedev dhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton. Në Bornholmer Strasse, e para pikë kalimi që u hap, Kancelarja gjermane do ta kalojë kufirin e dikurshëm e shoqëruar nga ish-presidenti polak dhe ai sovjetik, Lech Walesa (lideri i revolucionit polak) dhe Mikhail Gorbaçov. I pranishëm në ceremoni nuk do të jetë Presidenti amerikan, Barak Obama. Daniel Barenboim do të drejtojë një koncert të madh dhe 1.5 kilometra mur i ndërtuar me copa të mëdha kartoni të larta 2.5 metër dhe i pikturuar nga studentët berlinezë, do të rrëzohet si gurët e dominosë në kujtim të asaj dite të madhe. Kryebashkiaku i Berlinit, Klaus Wowereit, theksoi se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për ceremonitë festive, ndërsa kryeqyteti gjerman do të paraqitet si "një vend lirie". "Nuk janë qeveritë e mençura ato të cilat kanë arritur këto rezultate. Qytetarët ishin ata të cilët nuk duruan të jetojnë më gjatë pa liri dhe atyre u takon pjesa më e madhe e meritave", tha Wowereit. Festimet priten të fillojnë në orën 09.30 të mëngjesit me një meshë të mbajtur në një kishë evangjeliste. Në orën shtatë të mbrëmjes do të zhvendosen në Portën e Brandenburgut, simboli i qytetit dhe ndarjes mes Lindjes dhe Perëndimit, ku skenografia thuajse ka përfunduar. Pastaj, një spektakël i madh me fishekzjarrë do të mbyllë festën. 20 vjet më vonë problemet e pabarazisë mes gjermanëve të Lindjes dhe Perëndimit ende mbeten të dukshme. "Sueddeutche Zeitung", gazeta më e madhe e përditshme dhe më cilësore në vend, fton Lindjen dhe Perëndimin për t‘u pajtuar dhe mbështetur te respekti reciprok. Muri i Berlinit u shemb më 9 nëntor të vitit 1989, pas muajsh të tërë të një tensioni gjithnjë e në rritje jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë Europën Lindore dhe Qendrore, që deri në atë moment ishte pjesë e influencës sovjetike. Me rënien e tij, shumë njerëz vrapuan që të kalonin pengesën, sidomos pas lajmit të qeverisë së Gjermanisë Lindore se tani njerëzit ishin të lirë të shkonin në Perëndim. Dy Gjermanitë u bashkuan 11 muaj më vonë, në vitin 1990. Muri nisi si një kordon telash me gjemba i ndërtuar nga rojet komuniste mëngjesin e 13 gushtit të vitit 1961. Ai ishte 160 kilometra i gjatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›