E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, Kongresmenët mbështetje projekteve të kryebashkiakut Basha

TIRANE - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me kongresmenët Alcee Hasting, Eliot Engel dhe Jean Schmid.

Sipas zyrës së shtypit në Bashkinë e Tiranës, Basha i ka njohur kongresmenët me projektet kryesore të zhvillimit të Tiranës, si zhvillimi ekonomik, cilësia e jetës dhe punësimi.
Basha ka thënë se një nga angazhimet e tij është ta bëjë Tiranën një qytet miqësor për biznesin dhe atraktiv për investime. Ai ka prezantuar edhe projektet e tij strategjike për Tiranën si zgjerimi i bulevardit, rehabilitimi i Lumit të Tiranës, ndërtimi i linjave të tramit si dhe ndërtimi i terminalit të pasagjerëve.

Kryebashkiaku ka bërë me dije se ekspertë të njohur të urbanistikës po punojnë për Planin e ri Urbanistik. Punësimi mbetet prioritet absolut sipas Bashës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka kërkuar mbështetjen nga anëtaret e Kongresit dhe veçanërisht të Engel dhe Schidt si bashkëdrejtues të Grupit të Miqësisë Shqipëri-SHBA. Pranë institucioneve financiare amerikane për të mundësuar mbështetjen me kredi të buta për financimin e tramit, po edhe për programe të tjera si skema punësimi, stazhe për të rinjtë, mbështetje për nënat kryefamiljare etj.

Kongresmenët kanë vlerësuar vizionin e Bashës për zhvillimin e Tiranës, adresimin e drejtë të prioriteteve e veçanërisht përfshirjen e qytetarëve në vendimarrje siç ishte dhe diskutim për buxhetin.

Engel dhe Schmid u shprehën të gatshëm për të përdorur influencën e tyre për të siguruar kredi të buta për të mbështetur projektet e Bashkisë së Tiranës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›