SHBA: Lëreni Kosovën të ecë para
Shtetet e Bashkuara kanë ofruar dje mbrojtjen më të fuqishme të pavarësisë së Kosovës në Hagë, përballë qëndrimit rus, që e vlerësoi atë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. “Lëreni të qetë pavarësinë e Kosovës, sepse ajo është vullnet i popullit dhe faktor stabiliteti në Ballkan”, është shprehur para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, Harold Koh. “Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpallja e pavarësisë është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, sepse nuk përmban asgjë në kundërshtim me këtë të drejtë. E drejta ndërkombëtare nuk rregullon çështjet e deklaratave të pavarësisë, ndërsa pavarësia e Kosovës është kapitulli i fundit në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Nuk ka inkonsistencë ndërmjet shpalljes paqësore të pavarësisë së Kosovës, të së drejtës ndërkombëtare dhe Rezolutës 1244”, tha Koh. Ai u është drejtuar gjykatësve të GJND-së, duke u thënë se ata kanë dëgjuar për mizoritë ndaj shqiptarëve të Kosovës, për 1 milion kosovarë të dëbuar me dhunë dhe për fushatën e pastrimit etnik, për të shtuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë zhvillim spontan, porse asaj i ka paraprirë një proces politik. “Shpallja e pavarësisë së Kosovës është artikulim i vullnetit të popullit, që as mund të autorizohet dhe as ndalohet”, theksoi Koh, për të shtuar se Serbia kishte thënë se edhe në rastin e Sllovenisë dhe Kroacisë ishte shkelur e drejta ndërkombëtare, por që tani nuk e thotë më këtë. “Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka cenuar as parimin e integritetit territorial, sepse ky parim rregullon vetëm raportet ndërshtetërore”, tha Koh. Përfaqësuesi amerikan iu referua edhe Rambujesë e “vullnetit të popullit” për të shtuar se dokumentet e këtij tubimi nuk paragjykojnë dhe as përjashtojnë asnjë epilog të statusit politik të Kosovës. “Nëse Rezoluta 1244 përmban dispozitën për integritetin territorial të Serbisë, pse atëherë për shumë kohë Beogradi është ankuar se ajo ia hap rrugën pavarësimit të Kosovës?”, pyeti Koh. Për më tepër ai theksoi se Rezoluta 1244 përmend integritetin territorial të Jugosllavisë, por Jugosllavia nuk ekziston më. “Rezoluta 1244 i referohet integritetit territorial vetëm si fazë kalimtare, ndërsa mbështetësit e Serbisë nuk kanë arritur të gjejnë asnjë rresht në rezolutë që të mund të thonë se Kosova, duke shpallur pavarësinë, e ka shkelur atë”, tha Koh. Ai ka pohuar se nga qindra deklarata të pavarësisë, asnjë nuk është hedhur poshtë nga e drejta ndërkombëtare dhe kjo nuk bën të ndodhë as me Kosovën. “Nga kjo gjykatë kërkohet të vendosë nëse dëshiron të kthejë situatën prapa ose të lejojë Kosovën dhe fqinjët të ecin përpara”, tha Koh.
Rusia
Pas SHBA-së është deklaruar përfaqësuesi i Rusisë, Kiril Gevorgian, i cili tha se kjo gjykatë ka juridiksion për çështjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai ka kujtuar shumë deklarata të pavarësive që janë konsideruar të paligjshme nga Këshilli i Sigurimit, për të shtuar se Qiproja Veriore është një rast i tillë. “Shpallja e pavarësisë së Kosovës është jolegale, sepse u bë nën një administrim ndërkombëtar”, tha Gevorgian, duke shtuar se populli i Kosovës nuk hyn në kuadër të grupeve që kualifikohen për të pasur të drejtën për vetëvendosje. “Në vitin 2008 nuk kishte kërcënim ndaj popullit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe shkelja e të drejtave të njeriut nuk mund të merret si argument për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Populli i Kosovës asnjëherë nuk është pranuar si popull me të drejtën e vetëvendosjes, ndërsa bashkësia ndërkombëtare, në vitin 1999, veproi pa e njohur të drejtën e vetëvendosjes së popullatës së Kosovës”, tha përfaqësuesi i Rusisë. “E drejta ndërkombëtare e ndalon pavarësimin e Kosovës. Kosova, sipas së drejtës ndërkombëtare, është nën administrimin e OKB-së dhe as shqiptarët dhe as Beogradi nuk mund të ndërmarrin hapa unilateralë që sfidojnë UNMIKU-n”, tha ai duke aluduar për vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, kur ka thënë se fakti që bisedimet nuk kanë sjellë rezultate, nuk do të thotë se të gjitha mundësitë janë shterur.