E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Marrëveshja, forcoi sovranitetin

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë mirëpret marrëveshjen e arritur së fundi për MIK ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. "Siç ka qenë rasti edhe me marrëveshjet e tjera të arritura brenda kornizës së dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga BE-ja, Qeveria e Kosovës ka treguar maturi dhe fleksibilitet në arritjen e kësaj marrëveshjeje me Serbinë. Ajo mbron dhe avancon interesat e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur" thuhet në komunikatën për media të ambasadës së SHBA-së në Kosovë.
 
Më tej në të thuhet se "Marrëveshja për MIK mbështetet në mirëkuptimin e shtatorit 2011 ndërmjet Kosovës dhe BE-së e KFOR-it që ka vendosur kontrollin doganor dhe kufitar në pikat veriore kufitare të Kosovës dhe ka garantuar që Kosova do të ushtrojë kontroll mbi të gjitha kalimet e saj kufitare. Marrëveshja për MIK po ashtu siguron që zyrtarët doganorë dhe kufitarë të Kosovës do të qëndrojnë në portat veriore për të ushtruar mandatin e tyre sipas ligjit të Kosovës".

SHBA bën thirrje që bllokadat e tjera ilegale të rrugëve në pjesën veriore të Kosovës të hiqen.  "Ato bllokada të rrugëve po pengojnë KFOR-in dhe EULEX-in për të ushtruar përgjegjësitë e tyre anekënd Kosovës në pajtim me mandatet e tyre përkatëse. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta se duhet të ketë liri të lëvizjes pa kusht kudo nëpër Kosovë për të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës" përfundon komunikata./indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›