VV: Projektligji diskriminues dhe antikushtetues

Nënkryetarja e dytë e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti të martën ka thënë, se Serbia qysh në negociatat e Vjenës ia ka arritur qëllimit, duke i emërtuar monumentet ortodokse mesjetare të Kosovës si serbe.
Ajo ka vlerësuar se risjellja e këtij projektligji për herë të dytë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përveç që shkel ligjet në fuqi, shpërfaq arrogancën e qeverisë përball qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile të Prizrenit e të gjithë Kosovës.
“Ky projektligj që në thelb është diskriminues, shpërfillë konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Për më tepër ky projektligj thellon ndarjet etnike dhe fetare. Dhe si i tillë Projektligji për Qendrën e Prizrenit nuk u votua as nga Kuvendi i Kosovës. Po i njëjti u kundërshtua edhe nga Kuvendi Komunal i Prizrenit dhe shoqëria civile, të cilët nuk ishin konsultuar paraprakisht. Risjellja e këtij projektligji për herë të dytë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përveç që shkel ligjet në fuqi, shpërfaq arrogancën e qeverisë përball qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile të Prizrenit, e të gjithë Kosovës si dhe Kuvendit Komunal, po ashtu edhe Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ajo.
Dërguti ka akuzuar Qeverinë, duke thënë se po i përshtatet ICO-së dhe Piter Feitit, e jo qytetarëve të vet.
Ndërkaq Deputet i kësaj lëvizje në Parlamentin e Kosovës Liburn Aliu, ka vënë në pah të metat e Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, duke e quajtur atë si diskriminues dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me të drejtat e njeriut.
“Përveç faktit që u tha se ky projektligj e deformon historinë dhe trashëgimin kulturore dhe fetare të Kosovës, dhe e shndërron në instrument të nacionalizmit serb, ky projektligj në vete në mënyrën se si është hartuar është projektligj diskriminues. Dhe si i tillë është total në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe është në kundërshtim madje edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Duhet ta kemi të qartë se mbi Qendrën Historike të Prizrenit, sipas këtij projektligji autoriteti më i lartë është Këshilli zbatues dhe monitorues që është autoritet sipas pakos së Ahtisaarit dhe ky autoritet në bazë të pakos së Ahtisaarit është kompetent për mbrojtjen vetëm të trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe në Kosovë”, ka thënë ai.
Aliut më tej qartëson se sipas këtij projektligji, parashihet të themelohet një komitet prej shtatë anëtarësh, tre nga bashkësitë fetare, tre nga shoqëria civile dhe një nga zyra për kthim e komunitete në komunën e Prizrenit. Dhe se sipas tij cilido nga anëtarët në rast të mospajtimit me ndonjë çështje, ka të drejtë që duke kërkuar së pari konsultime shtesë dhe më pastaj duke u caktuar moratorium, ta dërgojë çështjen në KZM.
Mirëpo sipas nenit 20.3 nuk mund të merren vendime të tjera përpos atij që udhëzon KZM-ja, dhe kjo sipas Aliut përbën diskriminim të qartë.
“KZM-ja është autoriteti i fundit pasi sipas nenit 20.3 thotë se autoritete përkatëse nuk mund të marrin vendime nëse KZM-ja udhëzon ndryshe dhe tash mund ta shihni shumë qartë diskriminimin. Nëse lidhur me një çështje Kisha Katolike ose Bashkësia Islame ka vërejtje dhe duhet të bëjë ankesë, ankesa e tyre duhet të shkojë në Këshillin Zbatues Monitorues, ku KZM-ja është autoritet me kompetenca vetëm për Kishën Ortodokse për trashëgimin serbe dhe në kuadër të tij ka vetëm përfaqësues nga Kisha Ortodokse. Rrjedhimisht përfaqësues nga komunitetet tjera fetare nuk ka në KZM, ky është një diskriminim i hapur dhe në kundërshtim me kushtetutën dhe me të drejtat e njeriut në përgjithësi”, ka thënë ai.
Për më tepër ai ka thënë, se trashëgimia kulturore duhet mbrojtur nga komuniteti dhe jo nga të izoluarit dhe instrumentalizimi nacionalist. Sipas tij një ndër elementet kryesore të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore është revitalizimi i saj, prandaj Qendra Historike e Prizrenit duhet të jetë në funksion të qytetarëve, të mundësojë zhvillim dhe jo të izolohet.
Ky projektligj është rrëzuar nga votat e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas një debati mjaft të thellë. Ai tani vjen sërish, i pandryshuar edhe përkundër reagimit qytetar, peticionit me mbi 10.000 nënshkrime, kundërshtimit tejet të artikulua rtë shoqërisë civile në Prizren./kp/