Krasniqi: Konkluzionet janë kompromise

Këto deklarata kreu i legjislativit i bëri të martën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, me ç’rast tha se i ka lexuar me vëmendje konkluzionet e dakorduara mes delegacionit të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
Krahasuar me ato që ka deklaruar më parë, Krasniqi kësaj radhe ka dal me një qëndrim më të butë, duke vlerësuar se këto konkluzione përbëjnë një kompromis, i cili nuk ka lënë hapësirë për triumfalizmin e asnjërës palë, por u ka mundësuar palëve për të interpretuar atë për nevojat e tyre politike.
“Konkluzionet si të tilla nuk lënë hapësirë për triumfalizëm të asnjërës palë, për faktin se konkluzionet janë një kompromis që ka për qëllim vazhdimin e dialogut dhe një zgjidhje sa më të qëndrueshme të problemit që ekziston mes Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, ne konsiderojmë që shumëçka do të sqarohet në të ardhmen në protokollin teknik që do të nënshkruhet mes tri palëve në Bruksel”, ka thënë ai.
Krasniqi ka qenë i rezervuar për të dhënë edhe një vlerësim nëse me këtë marrëveshje, Serbia i ka njohur kufijtë e Kosovës, ashtu siç është proklamuar dje gjatë një konference nga kryenegociatorja, Edira Tahiri.
Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të jetë e vëmendshme në këtë proces, sidomos në nënshkrimin e protokollit teknik.
“Në këtë rast do të kërkoja që Qeveria të jetë e vëmendshme gjatë hartimit sidomos nënshkrimit të protokollit teknik, i cili do të sqaroj se si do të realizohet këto konkluzione ose këto marrëveshje si po quhet”, theksoi ai.
Krasniqi nuk konsideron se Kosova ka lëshuar pe në këto konkluzione, sepse siç ka thënë ai këto konkluzione janë të dakorduara mbi parimet e Traktatit të Lisbonës dhe aty dihet shumë mirë për çfarë menaxhimi të kufijve bëhet fjalë.
Ndryshe, në mbledhjen e Kryesisë është vendosur që të mbahet një seancë më 7 dhe 8 dhjetor. Derisa nesër në Kuvend në interpelancë do të jetë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila lidhur me masat e reciprocitetit me Serbinë dhe do të shqyrtohen një sërë çështjesh tjera, më 8 dhjetor një adresim para deputetëve do të ketë edhe presidentja Atifete Jahjaga. Po ashtu, më 10 dhjetor do të mbahet një seancë solemne me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Kuvendit të Kosovës.