Thaçi Fules: Na i hiqni vizat
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar pasdite në Bruksel Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Štefan Füle. Sipas një komunikate për media të qeverisë, në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, për përkushtimet e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur në plotëni kriteret dhe standardet europiane të integrimit, me theks të vecantë është diskutuar për fillimin e dialogut për liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe për marrëdhëniet kontraktuale të Kosovës me BE-në.
Kryeministri Thaçi në takimin me Komisionerin Füle ka potencuar se institucionet e Republikës së Kosovës kanë plotësuar të gjitha kriteret që kanë të bëjnë me nisjen e dialogut të liberalizimit të vizave dhe me të drejtë pritet që ky proces të fillojë në ditët e ardhshme. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi ka mirëpritur qëndrimin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave i BE-së që mbështet fillimin e dialogut të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Nga ana e tij, Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Štefan Füle vlerësoi lartë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e agjendës evropiane të integrimit dhe rikonfirmoi se perspektiva e Kosovës është perpektiva evropiane. /indeksonline/