SHBA, Masakra në Fort Hud, reagon ashpër komuniteti mysliman
Blerina Olldashi
Zyrtarët ushtarakë amerikanë po përpiqen të përcaktojnë se çfarë e shtyu personin e armatosur në një bazë ushtarake të Teksasit të vriste 13 vetë të enjten. Personi që thuhet se kreu vrasjet, Major Nidal Hasan, është psikiatër që punon për ushtrinë. Vazhdojnë hetimet për të gjetur shkaqet e kësaj ngjarjeje, mjaft tronditëse për shumë amerikanë. Dhe pa dyshim njerëzit pyesin veten se çfarë e bëri atë njeri të hapte zjarr e të vriste 13 vetë duke plagosur 30 të tjerë. “Kjo ishte një goditje jo vetëm për bazën Fort Hood por edhe për të gjithë këmbësorinë tonë,”- thotë gjeneral Xhorxh Kasei shef i shtabit të këmbësorisë. Personi i dyshuar, Major Nidal Hasan, është psikiatër i këmbësorisë i cili punonte për problemet mendore të ushtarëve.
Ja çfarë thotë kongresmeni i Teksasit, Majkëll Mekaul: “Duket se ai ishte shumë i pakënaqur me luftën në Irak dhe Afghanistan, gjë që ia kishte shprehur edhe shumë kolegëve”. Zoti Mekaul thotë se para se të shkonte në Fort Hood, Nidal Hasan punonte në Qendrën Mjeksore të ushtrisë, Valter Rid në Uashington, ku vlerësimi për punën e tij ishte i dobët. Nidal Hasan është i lindur në Shtetet e Bashkuara dhe me origjinë palestineze. Kur banonte në zonën e Uashingtonit ai falej rregullisht në Qendrën e Komunitetit Mysliman. Arshad Kureshi është drejtor i kësaj qendre: “Ai ishte një mysliman që i respektonte ritet, në kuptimin që vinte për t’u lutur”. Në Qendrën e Komunitetit Mysliman në Silver Spring të shtetit Maryland Nidal Hasan u njoh me Dr. Asif Qadri, i cili punon për klinikën e kësaj qendre. “Më la përshtypjen se ishte një person i ndershëm dhe i sjellshëm. Nuk tingëllonte aspak si njeri i izoluar nga shoqëria apo i frustruar. Përkundrazi, dukej shumë i lumtur dhe i këndshëm”. Dr. Qadri thotë se Nidal Hasan ishte njeri i balancuar dhe i gjendshëm, ishte krenar që punonte për ushtrinë. Ai shqetësohej për reagimet, si ato që provuan myslimano-amerikanët pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. “Unë jam mysliman, ai është mysliman dhe sa herë që ndodh ndonjë gjë e tillë reagime të tilla përsëriten. Duket sikur ky shqetësim nuk na shqitet nga koka. Nuk besoj që Majori Hasan të ketë patur lidhje me al-Qaida-n. Por për fat të keq reagimet më të shumta në internet duket se janë shumë emocionale, me shprehje të tilla si “Vritini të gjithë”, “Ky është një akt lufte”. Dhe pikërisht kjo është për t’u shqetësuar sepse mund të fillojë të marrë marrë përmasa të mëdha”. Presidenti Obama i ka kërkuar vendit të mos arrijë në përfundime të nxituara rreth motivit të vrasjeve. Hetuesit federalë vazhdojnë të mbledhin prova për të gjertur shkaqet e masakrës.
BE-ja i kërkon Kosovës të mbyllë centralin “Kosova A”
Bashkimi Europian u ka kërkuar autoriteteve kosovare që deri në vitin 2017 të mbyllin centralin “Kosova A”. Shkak për këtë kërkesë është bërë ndotja e jashtëzakonshme e mjedisit. Bëhet fjalë për centralin “Kosova A”, i cili ka vetëm 3 njësi operacionale nga 5 që ka gjithsej. Ky central punon me qymyr dhe duhet të mbyllet padiskutim brenda vitit 2017, sipas kërkesave të Komisionit Europian. Kushtet e padurueshme kanë bërë që 40 për qind e banorëve të zonës të largohen për në pjesë të tjera të Kosovës. Centrali “Kosova A” është ndërtuar në vitin 1962 dhe ka 5 njësi që prodhojnë gjithsej 700 mega vat energji. Por ky central shpesh ka probleme dhe energjia në zonën përreth ndërpritet. Kosova është një ndër pak vende në Europë që ende ka ndërprerje të vazhdueshme të energjisë. Së fundmi KE-ja ka studiuar këtë central dhe rekomandon që të mbyllet në vitin 2017. Komisioni Europian thotë se Kosova është e detyruar të aplikojë standardet Ambientaliste të BE-së.
Rumani
Baseksu, paraqet një kandidaturë të re për kryeministër
Presidenti rumun Trajan Basesku ka emëruar një kandidaturë të re për kryeministër, pikërisht kryebashkiakun e Bukureshtit, Liviu Negoita. Por që tani dihet se kjo kandidaturë do të rrëzohet në parlament. Negoita nuk pritet të marrë votat e nevojshme, ashtu si dhe i emëruari i parë i Baseskut, aleati i tij Lucian Kroitoru. “Unë propozoj të formojmë një qeveri kombëtare uniteti. Do të nis që sot negociatat dhe të hënën do paraqes emrat e qeverisë në parlament, - tha kandidati për kryeminsitër Negoita për gazetarët. Në Rumani ka krizë politike që nga renia e qeverisë centriste muajin e shkuar.
Britani e Madhe
Kryeministri Braun propozon taksë të re
Kryeministri britanik, Gordon Braun, ka propozuar një taksë mbi transaksionet financiare për të ndihmuar mbrojtjen e botës nga një krizë tjetër bankare. Duke folur para ministrave të financave nga G-20 dhe vendeve në zhvillim, në një takim në Skoci, zoti Braun tha se nuk ishte e pranueshme që përfitimet e suksesit të bankave të merreshin vetëm nga një pakicë, ndërsa kostoja e dështimit të tyre të binte mbi të gjithë. Ai tha se Britania nuk do të vepronte e vetme dhe çdo taksë e re mbi sistemin bankar duhet të ishte një marrëveshje globale.
Afganistan
NATO-ja vret gabimisht 7 ushtarë afganë
Ministria e Mbrojtjes në Afganistan bëri të ditur se nga një sulm ajror i NATO-s janë vrarë gabimisht 7 pjestarë të forcës afgane të sigurisë në provincën Badghis. Një deklaratë e bërë nga kjo ministri thotë se mes të vrarëve kishte pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë afgane dhe se forcat e NATO-s dhe ato afgane po kryejnë hetime rreth ngjarjes. NATO-ja njoftoi se në këtë zonë ishin plagosur 25 ushtarë të huaj dhe afganë. Zyrtarët fillimisht ia hodhën fajin për viktimat “aktiviteteve kryengritëse” por më vonë thanë se ka mundësi që ushtarët të jenë qëlluar nga vetë zjarri i NATO-s.
Rusi
Medvedev flet për sanksione ndaj Iranit
Presidenti rus, Dmitri Medvedev, ka lënë të kuptohet se Rusia mund të bjerë dakord të vendosë sanksione të reja ndaj Iranit mbi programin e tyre bërthamor. Duke folur për një gazetë gjermane, zoti Medvedev tha se ai nuk donte sanksione ndërkombëtare kundër Iranit, pasi siç u shpreh ai, ato të çonin në drejtim të gabuar. Por çdo gjë ishte e mundur, nëse udhëheqja iraniane ndërmerrte atë që ai e quajti “pozitë jo shumë konstruktive”. Në kontrast, kryeministri rus, Vladimir Putin, tha muajin e kaluar se sanksionet japin rezultat të kundërt. SHBA-të thonë se Irani po ndjek teknologji bërthamore për qëllime ushtarake.
9 Nentor 2009